Kosova, me plan drejt Nato-s

Nga Wikilajme, burimi i lirë i lajmeve që ju mund të shkruani!
Statusi: E mbaruar 21 Mars 2011 16:28 (CET)
Ju lutem mos bëni asnjë ndryshim thelbësor. Keni ndonjë opinion për këtë lajm? Postojeni!

Agim Çeku


Një plan i Kosovës drejt NATO-s është paralajmëruar sot në një takim të ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, dhe ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku.

Në takim u bisedua për intensifikimin e punëve të dy ministrive në integrimin e Kosovës në mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë dhe rajonalë në fushën e sigurisë. Një grup pune është ngritur për hartimin e një plani të përbashkët të veprimit për të përshpejtuar integrimin e Kosovës në këto nisma, bën të ditur zyra e shtypit e MPJ.

Ministri Hoxhaj siguroi se Ministria e Punëve të Jashtme do të angazhohet maksimalisht për integrimin e Kosovës në NATO dhe iniciativa tjera të sigurisë. "Ne do të jemi në shërbimin tuaj për çdo nismë, për çdo reformë, për çdo aktivitet të Ministrisë që ju e drejtoni. Ne po ashtu do të bëjmë përpjekje të përditshme për të qenë pjesë e strukturave euroatlantike", tha ai. Ministrat Hoxhaj dhe Çeku rane dakord që të themelojnë një grup për harmonizimin e punëve të dy ministrive. "Me punë të përditshme, ne duhet të synojmë anëtarësimin sa më të shpejt të Republikës së Kosovës në Partneritetin për Paqe", tha Hoxhaj.

Ministri i FSK-së, Agim Çeku, tha se "Jemi të interesuar që të jemi pjesë e çdo nisme rajonale dhe ndërkombëtare për siguri, derisa qëllimi kryesor mbetet anëtarësimi në NATO". Ai shtroi nevojën e harmonizimit të veprimeve të të dy ministrive, në theks të veçantë, në hartimin e një platforme për sigurinë kombëtare. Dy ministrat premtuan të kenë takime të rregullta mes dy ministrive për të përmbushur objektivat që do të dalin nga plani i veprimit, që pritet të përfundojë në fillim të muajit prill.

Burimet[redakto]