Jump to content

Nën paralajmërimet për terror - Konferenca e ministrave të Brendshëm në Hamburg

Nga Wikilajme, burimi i lirë i lajmeve që ju mund të shkruani!
Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maizière
Statusi: E mbaruar 18:54, 20 Nëntor 2010 (UTC)
Ju lutem mos bëni asnjë ndryshim thelbësor. Keni ndonjë opinion për këtë lajm? Postojeni!


Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maizière ka bërë thirrje që qytetarët të kenë kujdes nga sulmet terroriste por të vazhdojnë jetën normalisht. Terrorizmi ndërkombëtar synon përhapjen e frikës, tha de Maizière.

Paralajmërimet për sulme terroriste në Gjermani janë tema kryesore që mbizotëron takimin e ministrave të Brendshëm të landeve gjermane dhe atij të federatës në Hamburg. Në mesditë ministri i Brendshëm Thomas de Maizière, bëri të ditur se me kolegët e tij nga landet ka biseduar intensivisht për gjendjen në vend dhe kërcënimet e fundit. Ata kanë rënë dakord për masat që duhet ndërmarrë dhe qëllimet e terroristëve. De Maizière: „Terrorizmi ndërkombëtar do që në vendin tonë të mbretërojë frika dhe tmerri, por ne nuk do ta lejojmë këtë. Ne u mbetemi besnik vlerave të jetës sonë dhe lirisë së lëvizjes në vend. Ministrat e Brendshëm u bëjnë lutje qytetarëve që të mos heqin dorë nga jeta dhe punët e tyre normale, që të sillen mirë, miqësisht dhe të kujdesen për njëri - tjetrin." Po çfarë do të thotë kjo? Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maizière shpjegon: „Vetëbesim, zgjuarsi dhe përkujdesje për njëri-tjetrin. Ne duam të mos e ndryshojmë qëndrimin tonë."

Në Gjermani shtohen kontrollet e sigurisë

[redakto]

Ajo që vihet re në terren është shtuarja e prezencës së policisë dhe kjo do të zgjasë deri sa nuk pezullohen paralajmërimet për rreziqe nga terrorizmi. Aeroportet dhe stacionet herkurudhore do të kontrollohen edhe më tej me masa më të rrepta, sikur edhe vendet publike ku mblidhen shumë njerëz. Lidhur me një paketë të gjetur në një fluturim nga Namibia për në Gjermani, ministri de Maizière u shpreh fillimisht i përmbajtur: „Zyra e Kriminalistikës do të japë shpjegime. Atje ka nëpunës, të cilët do të sqarojnë të gjitha detajet. Deri atëherë nuk dua të jap vlerësime përfundimtare. Sidoqoftë, sistemi i kontrolleve ka funksionuar mirë." Më vonë u bë e ditur se ky ishte në fakt vetëm një test, për të shikuar zgjuarsinë dhe gatishmërinë e organeve të sigurisë, të cilat në këtë rast kanë vepruar në mënyrën e duhur.

Kërkohet koordinim mes landeve në luftën kundër terrorizmit

[redakto]

Kryetari i Konferencës së ministrave të Brendshëm, senatori nga Hamburgu Heino Vahldieck, nuk është i mendimit se Hamburgu si qytet liman është në veçanti i rrezikuar. „Nuk ka ndonjë rrezik më të shtuar për ndonjë nga rajonet e vendit tonë. Prandaj Hamburgu është i rrezikuar si të gjitha qytetet tjera. Ne do të ndërmarrim të gjitha masat që po ndërmerren edhe në rajonet e tjera të Gjermanisë. Për fat qyteti ynë nuk është i rrezikuar më shumë se të tjerët.“ Ndërsa ministri i Brendshëm i Saksonisë së Poshtme Uwe Schünemann bëri të ditur se deri në pranverën e vitit të ardhshëm do të miratohet një koncept i ri për temën e "terrorizmit islamik". Për këtë çështje mungon koordinimi i plotë mes landeve, dhe sipas Schünemann është me rëndësi që të kemi një strategji të përgjitshhme, që në qarqet e caktuara të policisë dhe në sektorin e mbrojtjes kushtetuese të punohet pikërisht në këto çështje. "Që gjërat të vlerësohen profesionalisht si duhet dhe që në Konferencën e ministrave të brendshëm në pranverë të miratohet një strategji e re.“

Referenca

[redakto]