Bajerni shkarkon Van Gal, Jonker trajneri i përkohshëm
Bajerni i Mynihut ka shkarkuar trajnerin Luis Van Gal, pas barazimit 1-1 me Nurembergun, që u kushtoi bavarezëve vendin e tretë në renditje. Tekniku holandez do të largohej në fund të këtij sezoni, por tashmë që klubi më i madh gjerman rrezikon të mbetet jashtë Champions League, drejtuesit kanë vendosur që të ndryshojnë që tani. “Bajerni ka larguar në mënyrë urgjente trajnerin Luis Van Gal”, thuhet në një komunikatë të shpërndarë për mediat ditën e diel.
Klubi bavarez bëri të ditur gjithashtu se Andries Jonker do të drejtojë skuadrën deri në fund të sezonit, kur detyrën e trajnerit do ta marrë i mirënjohuri Jup Heinkes. Barazimi 1-1 i arritur të shtunën ndaj Nurembergut e zbriti Bajernin në vendin e tretë, 1 pikë larg Hanoverit, që mposhti 2-0 Mainzin. Në këto kushte, vendi i tretë që të çon në Champions League duket në rrezik, për më tepër duke parë që finalja e vitit 2012 do të zhvillohet në “Allianz Arena”, stadiumin e Mynihut. Me vendimin e drejtuesve kanë qenë dakord edhe tifozët, të cilët kanë ndjekur seancën e parë stërvitore nën drejtimin e trajnerit të ndërmjetëm Andries Jonker të dielën paradite.
Luis Van Gal e mori drejtimin e Bajernit dy vjet më parë dhe në sezonin e shkuar fitoi kampionatin dhe Kupën e Gjermanisë, ndërkohë që e çoi skuadrën deri në finalen e Ligës së Kampioneve, ku u mund 2-0 nga Interi. Por, sezoni i sivjetshëm ka qenë një dështim më vete për gjigandët gjermanë, që janë eliminuar nga Kupa dhe Liga e Kampioneve, ndërkohë që në kampionat luftojnë vetëm për vendin e tretë.
Burimet
[redakto]- "Bajerni shkarkon Van Gal, Jonker trajneri i përkohshëm" — BalkanWeb, 11. Prill 2011