Një ushtar amerikan hap zjarr dhe vret 16 civilë në Afganistan

Nga Wikilajme, burimi i lirë i lajmeve që ju mund të shkruani!
Shko tek: lundrim, kërko

E diel, 11 mars 2012

Zyrtarë afganë dhe dëshmitarë lokalë thanë se një ushtar amerikan doli nga baza e tij dhe hapi zjarr, duke vrarë të paktën 16 civilë afganë në provincën jugore të Kandaharit.

Ky incident është më i fundit në një valë incidentesh që kanë acaruar edhe më tej marrëdhëniet tashmë të tendosura mes Uashingtonit dhe Kabulit.

Presidenti afgan Hamid Karzai e cilësoi incidentin e sotëm si të pafalshëm. Ai kërkoi një shpjegim nga Shtetet e Bashkuara për ato që ai i quajti "vrasje të qëllimshme". Zoti Karzai tha me anë të një deklarate se 9 prej viktimave ishin fëmijë dhe 3 ishin gra.

Shtëpia e Bardhë shprehu shqetësim të thellë dhe tha se po e ndiqte nga afër situatën.

Zyrtarët afganë thanë se ushtari amerikan hapi zjarr kundër shumë shtëpive në distriktin Panjwayi.

Zyrtarët amerikanë thanë se NATO ndaloi ushtarin amerikan dhe po heton incidentin.

Nuk dihet ende se cilat mund të kenë qënë motivet e ushtarit amerikan për veprimet e tij.

Ambasadori i përkohshëm amerikan në Afganistan, James Cunningham shprehu ngushëllimet e Shteteve të Bashkuara për familjet e viktimave.

Zv/komandanti i Forcës Ndërkombëtare të NATO-s, Gjeneral-lejtnanti Adrian Bradshaw shprehu "keqardhje dhe zhgënjim të madh" lidhur me incidentin.

Ky incident ndodh pas disa javë marrëdhëniesh të tendosura mes trupave amerikane dhe atyre afgane, si pasojë e djegjes së disa kopjeve të Kuranit në një bazë të ushtrisë amerikane. Megjithëse zyrtarët amerikanë kërkuan falje për djegjen e Kuranit dhe thanë se ajo ishte një aksident, incidenti nxiti protesta me dhunë dhe sulme në gjithë vendin, që shkaktuan dhjetra të vrarë.


Burimet


Bookmark-new.svg