Aksident tragjik në Elbasan, vdesin 2 studentë, 5 plagosen
PNjë aksident i rëndë automobilistik është shënuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Elbasanit. Një makinë në të cilën udhëtonin 7 të rinj, të moshës 22 e 25 vjecare ka dalë nga rruga duke shkaktuar vdekjen e 2 prej tyre si dhe plagosjen e 5 të tjerëve.
Nga të dhënat e para mësohet se aksidenti ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm në aksin nacional Elbasan- Cërrik, pranë vendit të quajtur Ura e zezë, kur makina e tipit Benz me targa CF 853RS pasi është përplasur me një trafik ndarëse ka përfunduar në një kanal buzë rrugës.
Sipas policisë viktimat janë dy studentë të Universitetit "Aleksandër Xhuvani" Elbasani, Shpendi Hysa, drejtuesi i automjetit, Erjola Kurti, 22 vjeçe me banim në Librazhd. Ndërsa të plagosur janë Leonard Allani, 23 vjeç, banues në Belsh, Enea Hysa, 25 vjec, Xhemile Toska, 22 vjeçe, banuese ne Dragostunje-Librazhd, Brunilda Kullolli, banuese në Berat dhe Oligert Shallmi 23 vjec.
Korrespondeti i NEWS24 Fatmir Popja raportoi sot në mëngjes se të 7 personat që kanë udhëtuar në makinë kanë kaluar natën së bashku në një nga lokalet e Elbasanit dhe më pas ishin nisur me makinë drejt qytetit të Cërrikut.
Sipas mjekëve të spitalit të Elbasanit gjëndja shëndetësore e 4 prej të plagosurve është e rëndë. Një ekip mjekësh për orë të tëra kanë bërë përpjekje për të shpëtuar jetën e të plagosurve, pasi kanë pasur dëmtime të rënda. Ndërsa viktimat janë transportuar në morgun e spitalit.
Nga të dhënat e para mësohet se shkak i këtij aksidenti duhet të ketë qenë shpejtësia e madhe, dhe humbja e kontrollit nga drejtuesi i automjetit pasi makina pasi është përplasur fillimisht me trafik ndarësen është rrokullisur duke rënë në kanal në krah të rrugës.
Përplasja me trafik ndarësen duhet të ketë qenë shumë e fuqishme, pasi mjeti ka dëmtime shumë të mëdha.
Një grup hetimor ka nisur veprimet hetimore për të zbardhur në detaje si ka ndodhur aksidenti tragjik.
Burimet
[redakto]- "Aksident tragjik në Elbasan, vdesin 2 studentë, 5 plagosen" — BalkanWeb, 07. Maj 2011