Jump to content

Autizmi, "të fshehtat" e çrregullimit tek fëmijët

Nga Wikilajme, burimi i lirë i lajmeve që ju mund të shkruani!
Statusi: E mbaruar 18:10, 02 Dhjetor 2010 (UTC)
Ju lutem mos bëni asnjë ndryshim thelbësor. Keni ndonjë opinion për këtë lajm? Postojeni!


Autizmi po shndërrohet në një sfidë thelbësore për shëndetin publik, kjo për shkak të përhapjes së tij në rritje, por dhe për kostot shoqërore dhe ekonomike që ka. Ndaj, vendet e Europës Juglindore kanë shprehur angazhimin për bashkëpunimin në një rrjet të përbashkët në mënyrë të organizuar për t’i dhënë një përgjigje kësaj sfide. Shenjat e kësaj sëmundje shfaqen tek fëmijet pas moshës 1-2 vjeç, ndërkohë që specialistët e shëndetësisë apelojnë për sensibilizimin e opinionit publik për përkrahje ndaj fëmijëve autistë dhe integrimin e tyre në shoqëri. I identifikuar në vitin 1943, autizimi është një çrregullim ende jo shumë i njohur. Trajtimi i tij, sipas specialistëve, duhet të kthehet në prioritet të politikave shëndetësore dhe sociale, duke treguar më tepër vëmendje ndaj fëmijëve që preken nga kjo sëmundje.

Në Shqipëri është folur pak për autizmin dhe rastet e fëmijëve të ndjekur në mënyrë sporadike tregojnë për mungesë të informacionit në popullatë për këtë sëmundje, mosdiagnostikim të saktë, etj. Nëse prindi nuk e njeh dhe nuk e pranon situatën siç është, atëherë asnjë terapi nuk mund të funksionojë në përmirësimin e gjendjes, ndaj dhe është punuar shumë në drejtim të njohjes së autizimit, duke u përqëndruar tek prindërit dhe opinioni publik për ta pranuar këtë çrregullim. Njerëzit që vuajnë nga ky çrregullim i rëndë i funksioneve trunore (për rrjedhojë sjelljes njerëzore), shpesh kanë një rreze të kufizuar interesash dhe shfaqin sjellje dhe mënyra përsëritëse të tyre, si dhe kundërveprime të ndryshme në mjedisin dhe rrethanat e përditshme. Sipas klasifikimit ndërkombëtar të sëmundjeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, "autizmi shfaqet tek fëmijët para moshës tre vjeçare dhe shoqërohet me vonesa në ndërveprimet e tyre shoqërore, gjuhë, shenja, apo lojëra përfytyruese".

Mjekët pohojnë se autizmi mund të identifikohet që në muajt e parë të jetës. Shenjat e hershme të sindromës së autizmit mund të kuptohen nga një specialist kur fëmija është në muajin e pestë, ndërsa shenjat me të dukshme variojnë nga 18 deri në 36 muajsh. Karakteristikë e kësaj sindrome është se fëmija mund të zhvillohet pa shfaqur shenja shumë të dukshme të çrregullimit deri në moshën 16-18 muajsh dhe pas kësaj moshe, nëna mund të identifikojë probleme në zhvillimin e tij. Fëmijët autikë kanë probleme të komunikimit, mbyllen në vetvete, nuk krijojnë lidhje emocionale, nuk shoqërohen me moshatarët, fiksohen pas një sendi apo objekti, në shumicën e rasteve janë hiperaktivë, por nuk përjashtohen rastet hipoaktivë.

Çrregullimet e gjuhës dhe komunikimit, simptomat më karakteristike te fëmijët autikë, evidentohen kur fëmija nis të flasë, prandaj dhe prania e tyre përbën një nga kriteret diagnostikuese. E folura herë mungon, herë është e vonuar, ose dhe atipike. Shenjat e hershme të autizmit lidhen edhe me çrregullimet e zhvillimit, që së bashku me ato gjuhësore, sipas mjekëve, janë shpesh motivi i parë i konsultimit, para çrregullimeve të sjelljes (mbyllja në vetvete, etj). Por, ka edhe simptoma të veçanta si vetëdëmtimi, që vëzhgohet ndonjëherë herët. "Sa më shpejt të identifikohet dhe sa më e lehtë të jetë si formë, aq më e mirë është ecuria e fëmijës", thonë mjekët, sipas të cilëve, në ndryshim nga e kaluara, fëmijët autikë sot kanë të ardhme.

Lidhur me përhapjen e këtyre çrregullimeve, raportimet vlerësojnë se në botë 3-4 fëmijë në 1000 vuajnë nga autizmi infantil. Autizimi prek më tepër meshkujt, sesa femrat e vlerësuar në raportin 4:1. Edhe pse për të kuruar simptoma specifike të autizimit ka barna, gjithnjë e më tepër specialistët flasin për teknikat arsimore dhe integruese në shoqëri. Mjekësia ende nuk ka mundur të qartësojë shkaqet e autizmit, ndërsa përpjekjet e shkencëtarëve vazhdojnë të jenë të mëdha. Edhe pse rrallë observohet më shumë se një rast autizmi në familje, observimi i një përqindjeje të konkordancës së rritur te binjakët monozigotë ka treguar rëndësinë e faktorit gjenetik tek autizmi.

Sipas një studimi të fundit, "fëmijët e lindur para kohe janë dy deri tre herë më shumë të rrezikuar të shfaqin simptoma të autizmit, para moshës dyvjeçare, ndërsa shkaktarët e çrregullimeve që vështirësojnë komunikimin dhe ndërveprimin e fëmijëve me rrethin, mbeten të panjohura". Studimi hedh hipotezën se lindja para kohe nuk është e lidhur në mënyrë direkte me shfaqjen e autizmit, por shkaktari që nxit autizmin është njëkohësisht shkaktar i lindjes para kohe. Bazuar në të dhënat, nga 75 mijë të sëmurë me paaftësi, 10 për qind e tyre janë fëmijë, paaftësia e të cilëve mund të jetë fizike, sensore, neurologjike, psikiatrike, intelektuale ose e natyre tjetër. Ndërkohë, 14-20% e fëmijëve paraqesin në stade të ndryshme të jetës së tyre një çrregullim të shëndetit mendor.

Referenca

[redakto]