Barroso dhe Fyle në Maqedoni për Marrëveshjen e Ohrit
Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso dhe komisioneri i BE-së për Zgjerim, Stefan Fyle, të shtunën do të vizitojnë Maqedoninë, ku do të kenë takime me zyrtarët e shtetit dhe përfaqësues të partive politike.
Barroso dhe Fyle do të qëndrojnë në Ohër, në kompleksin e hoteleve “Gorica”, ku dhjetë vjet më parë u arrit Marrëveshja e Ohrit, ku do të presin përgjigje nëse është realizuar në tërësi kjo marrëveshje që arriti pajtimin politik midis maqedonasve dhe shqiptarëve.
Sipas kabinetit të presidentit të Komisionit Evropian, Barroso vjen për të debatuar para së gjithash për reformat evropiane që nuk po zbatohen me tempin e pritur. Ai në takimet me Nikola Gruevskin, Gjorgji Ivanovin, Ali Ahmetin dhe Branko Cërvenkovskin në Ohër do t’u thotë atyre se pret të vendoset dialog konstruktiv, ndërsa BE të jetë instrument i konsensusit ndërpartiak dhe të mos keqpërdoret në fushatën parazgjedhore.
Ndërsa, siç mësohet, me partnerët e koalicionit qeverisës do të ketë pika të veçanta të bisedimeve. Njëra nga ata, është liria e mediave dhe të shprehurit. Barroso siç bëhet e ditur do t’i thotë Gruevskit se gazetarët në Maqedoni duhet të ndjehen të lirë që t’i shprehin qëndrimet e tyre. Barroso, madje do t’i përcjell pushtetit se edhe proceset gjyqësore duhet të jenë fer, ndërsa ligjet të aplikohen në mënyrë objektive.
Takimet do të mbahen në Ohër me kërkesë të Qeverisë së Maqedonisë. Vizita në Maqedoni është në kuadër të një turi ballkanik 1 javor. Barroso dhe Fyle do vizitojnë tri shtete Kroacia, Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi para se të arrijnë në Maqedoni.
Burimet
[redakto]- "Barroso dhe Fyle në Maqedoni për Marrëveshjen e Ohrit" — Balkanweb, 05. Prill 2011