Barroso për Hungarinë, politikën ekonomike dhe energjetike

Nga Wikilajme, burimi i lirë i lajmeve që ju mund të shkruani!
Statusi: E mbaruar 16:41, 6. Janar 2010 (UTC)
Ju lutem mos bëni asnjë ndryshim thelbësor. Keni ndonjë opinion për këtë lajm? Postojeni!

José Manuel Durão Barroso


Në konferencën e tij të parë për vitin 2011 presidenti i Komisionit të BE-së, José Manuel Barroso, kërkoi më tepër koordinim në politikën ekonomike të BE-së. Ai u shpreh edhe për ligjin e mediave në Hungari.

Komisioni i BE-së nuk sheh për momentin rreziqe akute për stabilitetin e eurozonës, megjithatë do të punojë për përmbushjen e detyrave afatgjata. Si një ndër faktorët më të rëndësishëm për krizën e euros Komisioni i BE-së konsideron pabarazitë e mëdha ekonomike mes vendeve anëtare. Një bashkim monetar nuk mund të funksionojë pa më tepër koordinim të politikës financiare. Kjo nuk është vetëm bindja e Komisionit të BE-së, por edhe konsens në radhët e shumë shteteve. Megjithatë rezistenca është e madhe. Presidenti i Komisionit të BE-së, José Manuel Barroso thotë se koordinimi i politikës financiare është domosdoshmëri: "Nuk janë vetëm të ashtuquajturit federalistë që kërkojnë më tepër bashkëpunim në politikën ekonomike. Tregjet e duan një gjë të tillë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë gjithashtu. Rakordimi reciprok në fushën e politikës ekonomike nuk është një ëndër ideologjike, por një domosdoshmëri pragmatike.“

"Projekti tjetër i madh i integrimit evropian" sikurse e quan Barroso është ai i tregut të brendshëm të energjisë. Në fillim të muajit shkurt do të zhvillohet një mbledhje e kryetarëve të shteteve dhe të qeverive që do të merret me këto probleme. BE-ja synon që veç tregut të brendshëm të energjisë, të realizojë që deri në vitin 2020 20% e energjisë në vendet e BE-së të prodhohet nga burime energjie të riciklueshme. "Prej Këshillit të Vendeve të BE-së pres që të biem dakord për hapa konkrete që në vitin 2020 të arrijmë nivelin e 20%" - tha Barroso. Pak para vizitës së Komisionit në Budapest Barroso nuk mund t'i shmangej pyetjes së pakëndshme në lidhje me ligjin e ri të mediave në Hungari. Ai tha se për të dhënë një gjykim përfundimtar është ende herët, duke shtuar në mënyrë të qartë: "Ne kemi shprehur disa rezerva dhe prej qeverisë hungareze pres një sqarim të situatës. Por nuk ka dyshim se liria e shtypit është një parim i shenjtë i BE-së." Barroso premtoi se për këtë çështje do të diskutojë edhe me kryeministrin hungarez Viktor Orban.

Burimet[redakto]