Jump to content

Berisha: Investimet Turke në Shqipëri janë rritur mbi 5 herë gjatë viteve të fundit

Nga Wikilajme, burimi i lirë i lajmeve që ju mund të shkruani!
Statusi: E mbaruar 1 Prill 2011 19:12 (CEST)
Ju lutem mos bëni asnjë ndryshim thelbësor. Keni ndonjë opinion për këtë lajm? Postojeni!


Marrëdhëniet ekonomike me Turqinë kanë njohur një zhvillim të madh gjatë dy viteve të fundit, ndërsa investimet turke në Shqipëri janë rritur mbi 5 herë", tha sot Kryeministri Sali Berisha, gjatë ceremonisë së hapjes së Panairit të 5-të të Produkteve Turke, organizuar nga Dhoma e Tregtisë së Stambollit, në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Berisha shprehu mirënjohjen ndaj Dhomës së Tregtisë së Stambollit si dhe ndaj qeverisë turke për vendimin e tyre për të hapur këtë panair sot në Tiranë.

Kryeministri e vlerësoi hapjen e panairit si "një ngjarje shumë të rëndësishme për jetën ekonomike të vendit, por edhe bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve".

"Dy kombet dhe vendet tona i lidhin mijëra e mijëra fije miqësore në histori. E kaluara e tyre pothuajse bashkëqeverisëse në njërën prej perandorive më të mëdha të kohës, lidhjet e ngushta dhe miqësore në periudhën post imperiale, por edhe përpjekja e tyre e përbashkët për të ndërtuar shoqërinë e lirë, prosperitetin ekonomik dhe zhvillimin e vendeve të tyre", tha Berisha. Duke vlerësuar investimet turke në Shqipëri, Berisha tha se "ato shtrihen në të gjitha fushat si telekomunikacion, banka, metalurgji dhe fusha të tjera dhe të gjitha janë histori suksesi". "Nuk është e rastit që metropoli ekonomik i vendit tuaj hap për të 5-ën herë panairin në Tiranë. Stambolli sot ka shqiptarë më shumë se Tirana. Ata janë qytetarë të përkushtuar të Republikës së Turqisë, por në thellësitë e shpirtit të tyre, ruajnë të pashuar mallin dhe dashurinë për vendin e origjinës", tha Berisha, duke vënë në dukje kontributin e qytetarëve të Stambollit me origjinë shqiptare në zhvillimin e njërit prej qyteteve dhe qendrave më të rëndësishme të civilizimit të qytetërimit të sotëm.

Në përfundim, Berisha theksoi "ky panair dëshmon zhvillimin e madh dhe të papërmbajtshëm që Republika e Turqisë ka marrë gjatë këtyre viteve". Rreth 60 biznese turke marrin pjesë në panairin e 5-të të Produkteve turke, organizuar nga Dhoma e Tregtisë së Stambollit. Panairi i Biznesit Turk në Shqipëri organizohet për të pestën herë, duke filluar nga viti 2001 me qëllim zhvillimin e marrëdhënieve ekonomiko-tregtare mes dy vendeve si dhe zgjerimin e bashkëpunimit social-kulturor. Turqia renditet një ndër partnerët kryesorë tregtarë me Shqipërinë. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2010 vëllimi tregtar mes dy vendeve arriti 36,718 milionë lekë

Burimet

[redakto]