Jump to content

Bosnja në udhëkryq kritik

Nga Wikilajme, burimi i lirë i lajmeve që ju mund të shkruani!
Statusi: E mbaruar 16:41, 19 Nëntor 2010 (UTC)
Ju lutem mos bëni asnjë ndryshim thelbësor. Keni ndonjë opinion për këtë lajm? Postojeni!

Pallati i Presidencës në Sarajevë


Shteti i ndarë i Bosnjë-Hercegovinës shumë shpejt po arrin udhëkryqin më të madh në ekzistencën e saj.

Boshnjakëve dhe të tjerëve duhet bërë e qartë një herë e mirë se cilat janë opsionet e vendit dhe pasojat e vendimmarrjeve të pasuara nga zgjedhjet e përgjithshme. Qeveritë nuk mund gjithnjë t’i kalojnë situatat sa për sy e faqe. Në momente të caktuara, shtetet arrijnë në pengesa kritike dhe duhet të vendosin sesi do të çahet përpara. Sarajevës tani i ofrohen tri drejtime: izolim, konflikt ose modernizim. Opsioni i parë është një skenar tërësisht i zi në të cilin status quo-ja politike vazhdon pafundësisht dhe nuk ka ndryshim në strukturën e shtetit ose lidhje ndërmjet qeverive të shumta rajonale. Megjithëse teorikisht një stagnim i tillë do të mbante jashtë konfliktin, në praktikë do të inkurajojë ndarje të mëtejshme etnike dhe rënie ekonomike me pasoja të parashikueshme sociale. Vendi do të futej në një vetizolim të brendshëm, derisa Ballkani po mundohet të kualifikohet për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Kushtet ekonomike në Bosnjë-Hercegovinë janë projektuar që të dështojnë gjatë vitit të ardhshëm. Derisa falimentimi në Federatë mund të jetë më pak dëmtues sa të ketë përfitime nga turizmi, prania ndërkombëtare në Sarajevë dhe remitencat e diasporës. Republika Sërpska është e stërcentralizuar dhe duhet të reduktojë shpenzimet publike pothuajse sa një e treta e buxhetit. Të dyja entitetet duhet të ndjekin reforma fiskale dhe disiplinë financiare, meqë kryeqytetet e Bashkimit Evropian do të hezitonin të jepnin një pako ndihmuese si pasojë e shpenzimeve të tejkaluara të qeverive të Bosnjës. Madje disa analistë po bëjnë thirrje zëshëm që të shfrytëzohet ky rast për reformim të institucioneve shtetërore dhe për luftimin e nivelit të lartë të korrupsionit.

Skenari i dytë është ai i përshkallëzimit të konfliktit – një prej atyre që ka ndjekur Bosnjën për shumë vite me radhë, por që nuk ka ndodhur për shkak të presioneve nga jashtë dhe frikës së brendshme. Një dështim i tillë do të krijonte perceptimin se nuk mund të realizohet një qeveri qendrore e të gjithë boshnjakëve, do të ishte rritje të betejave politike dhe rritje të nacionalizmit në mesin e serbëve, boshnjakëve dhe kroatëve.

Skenari i konfliktit në mes të degradimit ekonomik dhe krizës së shumë politikave ekonomike qeveritare do të mund ta shpinte Bosnjën drejt kursit të ndarjes, konfliktit, madje edhe në shpërthim dhune. Do të shpërthenin politikat militante në të dyja kampet, derisa aktorët ndërkombëtarë do të ishin të paaftë t’i zaptonin palët. Ndarja territoriale nuk do të ishte e qartë, por shumë e pështjellët dhe konfliktuoze me një rezistencë të madhe për konsolidimin e dy minishteteve të krijuara nga masakrimet dhe përplasjet etnike.

Ndarja e Bosnjës po ashtu do të kishte edhe implikime të thella rajonale. Do ta nxiste krijimin e një shteti të frustruar dhe kukull të boshnjakëve, të prirë prej radikalizmit dhe irredentizmit karshi fqinjëve të Republikës Sërpska. Në planin më të gjerë ballkanik, një ndarje e Bosnjës do të nxiste kërkesa të reja për ndarje, pavarësi dhe do të përhapej edhe në shumë shtete të tjera. Konfliktet që ishin menduar se u shuan do të shpërthenin përsëri dhe do të vinin në hije përpjekjet ndërkombëtare për ndërmjetësim dhe parandalim të krizave. Pamundësia e NATO-s dhe e SHBA-së për të parandaluar plasjen konflikteve dhe ndarjet e shteteve do ta shfaqte dobësinë që do të mund të përhapej edhe tjetërkund.

E treta, mundësia e vetme progresive për Bosnjën është zhvillimi ekonomik ku qeveria dhe shoqëria mund të tërheqin të hyra dhe investime, dhe do të përfshinin institucionet ndërkombëtare të Bosnjës. Kjo do të kërkonte dorë të zgjatur të shtetit dhe nevojën e madhe për reformë institucionale, me qëllim që vendi të plotësojë kriteret e Bashkimit Evropian dhe që ta zërë hapin e fqinjëve. Misioni i fundit ndërkombëtar për ta kthyer Bosnjën në një shtet funksional në rrugë për integrim euroatlantik, ka dështuar. As politikat instruksioniste, as ato të buta nuk kanë dhënë sukses pasi politikanët e Bosnjës në mënyrë të vazhdueshme kanë kundërshtuar krijimin e një shteti unik. Aktorët ndërkombëtarë mundohen të gjejnë shteg për pyetjen sesi t’ia bëhet që Bosnja të futet në rrugën e duhur. Do të ketë thirrje të reja nga Washingtoni dhe Brukseli për nxitje të qeverisë për zbatimin e reformave kushtetuese dhe për t’i hequr të drejtat e vetos për etnitetet. Këtu do të përfshihet edhe bërja thirrje Milorad Dodikut dhe politikanëve të tjerë që të distancohen nga thirrjet për ndarje. Është vështirë që të shmanget nga kjo rrugë derisa ka qeveri që bëjnë thirrje për ndjekje të politikave separatiste. Do të ketë përpjekje për ribalancim të lidhjeve ndërmjet shtetit dhe entiteteve.

Do të ketë përplasje për të ardhmen e Përfaqësuesit të Zyrës së Lartë (OHR). Kundërshtuesit do të thonë se ky post duhet të shuhet që boshnjakët të kenë kontroll direkt mbi fatin e vet. Përzierja ndërkombëtare në procesin politik promovon varësi dhe nënvlerëson marrjen e vendimeve në mënyrë të pavarur. Përkrahësit e kësaj qasjeje mendojnë se kështu do të bëhej e mundur që politikanët të drejtonin politika në interes të vendit, sesa të ndiqnin interesat e ngushta. Mbështetësit e OHR-së do të thonë se pa Zyrën e ndërkombëtarëve do të ketë çintegrim të vendit. Vetëm një misioni i Bashkimit Evropian në vend të atij ndërkombëtar do të ishte zëvendësim i Marrëveshjes së Daytonit. Një mandat i tillë evropian do të duhej të kishte kompetenca monitoruese me të drejta të bindjes së politikanëve boshnjakë që të zbatojnë reformat kushtetuese që promovojnë lidhje ndërmjet shtetit dhe entiteteve.

Përplasjet sesi të menaxhohet Bosnja do të ashpërsohen pafundësisht derisa kushtet në këtë vend do të përkeqësohen. Duke marrë këtë si sebep, mbase ajo që është e nevojshme në fund të fundit është një version boshnjak i terapisë shok në të cilën konflikti eventual do të lejohej të përshkallëzohet. Megjithëse kjo mund të jetë një strategji e rrezikshme, me gjithë vijat e kuqe të tërhequra nga bashkësia ndërkombëtare, spektri në rritje i ndarjes dhe i rikthimit të konfliktit të armatosur mund të traumatizojë liderët dhe publikun në një gjendje serioze për arritje të një marrëveshje për të siguruar stabilitetit dhe vlefshmërinë afatgjate të vendit. Me fjalë të tjera, rreziku i përshkallëzimit të konfliktit mund po ashtu të inkurajojë një rol më efektiv të BE-së në afrimin e reformës shtetërore drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Asgjë më shumë nuk tërheq vëmendjen ndërkombëtare sesa duhma e luftës me rrezikun se ndarja e Bosnjës do të nxiste përhapje të konfliktit në mbarë Ballkanin. Mbase skenari i tretë është i arritshëm vetëm nëpërmjet kërcënimit të prekshëm të opsionit të dytë.

Burimet

[redakto]