FIFA, asnjë reformim për sistemin e votimit të Botërorit
FIFA nuk do të bëjë asnjë reformim në sistemin e votimit për përzgjedhjen e vendeve organizatore të Kupës së Botës, pavarësisht akuzave të shumta të ardhura ditët e fundit nga vende si Anglia, Holanda apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një deklaratë e tillë u bë nga sekretari i përgjithshëm i FIFA-s Zherom Valke, në Abu Dabi, ku ai ndodhet për Botërorin e klubeve. “Gjërat shkuan shumë mirë dhe pavarësisht asaj çfarë thonë njerëzit, tani kemi fitues Rusinë dhe Katarin, - deklaroi Valke. – Në sport duhet të dish të fitosh dhe të humbasësh. Fituan 2 nga 9 vendet që kandiduan, por kjo situatë ishte e qartë që në fillim”, shtoi sekretari i FIFA-s.
Ndërkohë, për anëtarin e Komitetit Ekzekutiv Çak Blejzër, këto votime duhet të jenë më të fshehta. “Është e nevojshme të ketë një kuti të mbyllur në FIFA, sepse në këto nivele përfshihen qeveri dhe individë shumë potencialë, që mund të ndikojnë në votën e anëtarëve të Komitetit”, deklaroi Blejzër. Valke iu përgjigj edhe kërkesës së Franc Bekenbauer, që Botërori i vitit 2022 në Katar të luhet në shkurt, për shkak të temperaturave të larta të këtij vendi në verë. “Një gjë është e qartë, Kupa e Botës do të luhet gjithnjë në muajt qershor-korrik”, - deklaroi Valke.
Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s vendosi më 2 dhjetor që t’i akordojë Rusisë të drejtën e organizimit të Botërorit 2018 dhe Katarit atë të vitit 2022. Rusia arriti të fitonte ndaj kandidaturave si Anglia, Spanjë-Porutgali dhe Belgjikë-Holandë. Reagimin më të fortë për këtë e ka pasur Anglia, ku nuk ka munguar as prishja e rezervimit në hotel për presidentin e FIFA-s Sep Blater, për Lojërat Olimpike të vitit 2012.
Referenca
[redakto]- Balkanweb.com (08.12.2010)