FSHF i hap dyert biznesit për ndërtimin e stadiumit
Sekretari i përgjithshëm, Eduard Prodani, deklaron se FSHF është gati të bashkëpunojë me grupet e interesit
Çështja e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, e diskutuar prej shumë muajsh, por që ende nuk ka marrë zgjidhje përfundimtare, vazhdon të jetë një temë me interes për opinionin sportiv në vend. Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në konferencën e përbashkët për shtyp me kreun e UEFA-s, Mishel Platini, se “Qemal Stafën” do t’ia jepte në administrim FSHF-së.
Madje Berisha siguroi mbështetjen financiare të qeverisë për përfundimin brenda 2012-ës të këtij projekti ambicioz për kushtet e vendit tonë. Por sa është shifra që do të japë qeveria? Sa është në gjendje të përballojë federata? Sa do të jetë ndihma nga ana e FIFA=s dhe UEFA-s? Pa dashur të abuzojmë me shifrat, një gjë është e sigurt:
shuma e përgjithshme që do të sigurohet nga qeveria shqiptare, UEFA-FIFA dhe FSHF nuk do të mjaftojë për të përfunduar projektin. Madje sipas sekretarit të përgjithshëm të FSHF-së, Eduard Prodani, instutucionet në fjalë sigurojnë vetëm 30% të shumës së nevojshme për përfundimin e projektit. Si do të sigurohet pjesa më e madhe e investimit?
Përgjigjjen e jep sekretari Prodani: “Federata po kërkon kompani ose grupe partnere për realizimin e projektit të stadiumit të ri, që do të ndërtohet në truallin e “Qemal Stafës”. Kjo nënkupton që po kërkojmë zgjidhje të plota, një partner që do të na ndihmojë në financimin e projektit, ndërtimit, supervizionit, pra gjithçka për të filluar dhe mbaruar në kohë projektin. Kemi konstatuar që ka interes nga grupet e interesit dhe jemi duke pritur ofertat e mundshme. ” Pra, institucioni i futbollit, përveç mundësisë së marrjes së një kredie, sheh si zgjidhje afrimin e bizneseve që kanë interes për të investuar në ndërtimin e stadiumit. Mënyrat e marrëveshjes mund të jenë të ndryshme, mjafton që palët bashkëpunuese të kenë interes në këtë investim.
Kryeministri Berisha, pak ditë më parë ka paraqitur projekt-buxhetin e vitit 2011, ku përfshihet edhe ndërtimi i “Qemal Stafës”. FSHF, nga ana e saj, nuk ka ende informacion për shifra të sakta, por thjesht pret vendimin që stadiumi t’i kalojë asaj në administrim. “Nuk mund të them asgjë për këtë, sepse qeveria ende nuk na e ka kaluar stadiumin. Ne po i bëjmë këto veprime për të fituar kohë, sepse është e vetmja mënyrë për ta përfunduar brenda afatit ndërtimin e stadiumit. Ndërtimi nis kur qeveria të na e japë stadiumin, para këtij vendimi gjithçka është nul,” - ka vijuar më tej Prodani.
Reference
[redakto]- Koha.net (13.11.2010)
- Sporti Shqiptare Online (13.11.2010)