Fyle: PD, jo politikë në rrugë
Bojkoti parlamentar prej 3 muajsh i opozitës ishte kryeqendra e bisedimeve dy orëshe në takimin e katër të dialogut të nivelit të lartë Shqipëri-Bashkim Europian. Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë në Komisionin Europian, Stefan Fyle, i cili vizitoi për herë të fundit Tiranën në këtë cilësi, dha mesazhin e fortë ndaj opozitës se mënyra europiane e të bërit politikë nuk është në rrugë por në parlament. Në një konferencë të posaçme me kryeministrin Rama, dy zyrtarët thanë publikisht zhvillimet e takimit me dyer të mbyllura me pjesmarrjen e opozitës, te perfaqesuar nga Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu dhe dy deputetet e PD, Eduard Halimi dhe Arben Ristani. Apeli i eurokomisionerit ndaj opozitës vijoi edhe për krijimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit, për të cilin të djathtët nuk po japin dakordësi, ku theksoi se palët duhet të bashkëpunojnë si një nga pikat kyçe për synimin e vendit në integrimin evropian. Për herë të parë nga kjo konferencë kryeministri Rama shprehu gadishmërinë e qeverisë për të dëgjuar çdo kërkesë të arsyeshme të opozitës, ndërsa deklaroi se mazhoranca është gati të votojë të enjten në parlamament komisionet hetimore për serverin e tatimeve dhe emërimet në administratë, dy kërkesa në vazhdimësi të opozitës. Axhenda zyrtare e eurokomisionerit nisi rreth orës 09:15 me një takim me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta në mjediset e kryesisë së Kuvendit. Gjatë këtij takimi, eurokomisioneri Fyle, theksoi se marrja e statusit për Shqipërinë sjell përgjegjësi të reja për vendin, të cilat kërkojnë siç nënvizoi ai më tepër pjekuri të palëve politike në Parlament. Axhenda e Fyles vijoi më tej me takimin me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kryeministrin Edi Rama. Tryeza e Dialogut te Nivelit te Larte Shqiperi-BE është e para pas marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian nga Shqipëria në muajin Qershor, kur u mbajt edhe tryeza e tretë, si dhe para publikimit të raportit të progresit për Shqipërinë. Dialogu nisi në nëntor 2013 me synim intensifikimin e punës së Shqipërisë për 5 prioritetet kyçe. Takimi mbahet para prezantimit të Progres-raportit të KE për Shqipërinë i cili do të bëhet publik në tetor. Ky Dialog nisi vitin e kaluar për të konfirmuar angazhimin e BE-së për ta ndihmuar Shqipërinë në procesin e integrimit të saj në BE, duke rritur shanset e saj për sukses. Raundi i mëparshëm u zhvillua në qershor në Tiranë.