Hapësirë, "Endeavour" mbyll me sukses udhëtimin e fundit në Orbit
Anija kozmike amerikane "Endeavour", me gjashtë astronautë në bord, nga të cilët një italian, u ul sipas parashikimeve për herë të fundit sot në Florida (juglindje), sipas pamjeve të transmetuara direkt nga televizioni i NASA-s.
Anija preku pistën e Qendrës hapësinore Kennedy në orën 06:35 GMT me një shpejtësi 360 kilometra në orë pas një zbritjeje të shpejtë për 65 minuta nga orbita tokësore.
"Endeavour" fluturoi mbi Amerikën Qëndrore, Gjirin e Meksikës para se të mbërrinte në Florida. Në pilotim automatik gjatë gjithë zbritjes, komandanti i bordit Mark Kelly mori në dorë komandën manuale të anijes për ta sistemuar në pistë duke bërë një kthesë 245 gradë.
Televizioni i NASA-s transmetoi direkt si gjithnjë pamjet nga udhëtimi i fundit që nga kabina e pilotit. "Endeavour" i dha fund kështu një udhëtimi 16-ditor në hapësirë, 11 nga të cilat në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar (ISS), dhe mbyll me sukses misionin e 25-të dhe të fundit në orbitë.
Burimet
[redakto]- "Hapësirë, "Endeavour" mbyll me sukses udhëtimin e fundit në Orbit" — BalkanWeb, 02. Qershor 2011