Heshtje për Assange

Nga Wikilajme, burimi i lirë i lajmeve që ju mund të shkruani!
Jump to navigation Jump to search
Pntbl.png
Statusi: E mbaruar 14:43, 06 Dhjetor 2010 (UTC)
Ju lutem mos bëni asnjë ndryshim thelbësor. Keni ndonjë opinion për këtë lajm? Postojeni!


Kur pas 100 vitesh të shkruhet historia e këtyre kohërave, do të rrëfehet edhe për odisenë e një anarkisti liberal me emrin në dukje frankofon, Julian Assange, (në të vërtetë është një australian nga Townsville) që në vitin 2010 guxoi të sfidonte një prej fuqive më të mëdha në botë, duke hedhur në rrjet disa mijëra dokumente sekrete.

Assange deklaronte se po udhëhiqte një betejë-pararojë në emër të transparencës dhe lirisë, por askush nuk e besoi dhe ndaj ai përfundoi i persekutuar dhe emri i tij u përfshi në listën e njerëzve më të kërkuar në botë, përkrah kryeterroristit Bin Laden, që nëntë vite më parë sulmoi zemrën e Amerikës, me një tjetër lloj vreri, duke marrë peng avionë dhe duke mbjellë vdekjen. Njëri e bën me forcën e fjalëve dhe tjetri me atë të tritolit, të ngritura në nivelin e simboleve universale të së keqes. Pa pritur gjykimin e historisë, që sot në të vërtetë, ky paralelizëm të shqetëson. Fytyra e 'Wikileaks' është ajo e një eksperti 39-vjeçar të informatikës, që prej javësh jeton në arrati mes grataçelave dhe ndërtesave të nëndheshme të metropoleve europiane, njësoj si terroristi islamik prej vitesh mes maleve dhe shpellave të Tora Borës. Tom Flanagan, këshilltar i kryeministrit kanadez, Stephen Harper, arriti deri aty sa të kërkonte ndihmën e avionëve pa pilotë për të kërkuar dhe vrarë Assange, ndërsa disa anëtarë të Senatit amerikan kërkuan hartimin e ligjeve speciale që bëjnë të mundur "goditjen" e 'Wikileaks' dhe pronarit të saj. Që prej ditës së djeshme, faqja e internetit që përmbante kablogramet e Departamentit të Shtetit, u sulmua me të njëjtat mënyra të paligjshme të studiuara për të fshirë nga interneti faqet e Al-Kaedës dhe shumë organizatave të tjera terroriste, ndërsa Franca si dhe vende të tjera të BE-së duan ta bllokojnë këtë faqe, njësoj siç bëri Kina disa kohë më parë me 'Google'. Suedia ka shtrirë në nivel ndërkombëtar një mandat arresti ndaj Assange për një çështje që ka lidhje me dyshimet për ngacmime seksuale nga ana e tij. Avokatët e tij thonë se e gjithë kjo është e sajuar me qëllim arrestimin e Assange. Bota perëndimore duket se ka rënë pre e një histerie kolektive, e megjithatë, nuk të habit ky angazhim kaq i madh i forcave kundër një njeriu të vetëm sesa heshtja e sikletshme e kategorisë sonë.

Na pëlqen ta themi apo jo, Julian Assange po persekutohet vetëm sepse siguroi dhe publikoi dokumentet sekrete. Në fakt nuk ishin as shumë sekret, me thënë të vërtetën, duke qenë se rreth 90 për qind e këtyre kablogrameve qarkullonin në rrjetet intranet, që mund t'i shohin mijëra punonjës të administratës amerikane. Por, kategoria jonë hesht dukshëm, askush nuk proteston, askush nuk indinjohet, njësoj sikur sekretet e Assange të mos ishin aq të ngjashme me mijëra sekrete të kolegëve tanë (por ndoshta janë vetëm disa qindra apo edhe më pak) që duhej të na detyronin çdo ditë në Itali dhe në të gjithë botën, të hapnim sytë dhe të bënim gati penën për të zbuluar çfarë ka pas mistereve të paeksploruara të pushtetit dhe politikës. Kur Bob Woodward dhe Carl Bernstein mblidhnin prova dhe dokumente për skandalin 'Watergate' duke i publikuar në "Washington Post", ata fituan çmimin Pulitzer dhe jo një mandat arresti. Të ketë ndryshuar kaq shumë bota, saqë 40 vjet të mjaftonin për ta kthyer një gazetar të bezdisshëm në një terrorist global? Janë shumë të paktë dhe të izoluar zërat që janë ngritur deri tani në mbrojtje të Julian Assange. Faji i të cilit (nëse mund të quhet faj) nuk duket aq i ndryshëm nga ai i të gjithëve ne, që çdo ditë riprodhojmë në faqet e gazetave të përditshme dokumentet e tij, por për të cilat ai rrezikon burgun dhe bombat, ndërsa ne jo.

"Jemi të gjithë Julian Assange", do të ishte e përshtatshme të thoshim, por nuk e thotë askush. Ndoshta sepse përmasat e zbulimit të tij janë aq të mëdha, saqë e bëjnë atë të shfaqet më shumë si një peng dinak i një tabloje politike sesa si një protagonist i një sfide kurajoze të lirisë (por edhe nëse do të ishte, ç'do të ndryshonte meqenëse po flitet gjithnjë e më shumë për lirinë e shprehjes?). E megjithatë, është e vërtetë e kundërta, pra se ne gazetarët jemi gjithnjë viktimat e një konformizmi të shfrenuar, me pasione dhe ideale që janë nën efektin e qetësuesve shumë të fortë. Ndodh edhe në shtëpinë tonë. Prej ditësh, larg zhurmës së luftës ndaj 'Wikileaks', forcat e rendit po qarkullojnë nëpër redaksi me një dekret sekuestrimi në duar, të nënshkruar nga prokuroria e Tarantos. Kanë urdhër të kërkojnë në të gjithë territorin kombëtar dhe të marrin videot e dokumentet që kanë lidhje me hetimet për vdekjen e Sarah Scazzi-t. Nuk ka më asgjë sekrete në këto letra (siç duket se pak ka edhe në kablogramet e Assange), megjithatë gjykata ka vendosur t'ua heqë nga duart gazetarëve. Të kishte ndodhur kjo 40 vjet më parë në kohën e "Watergate", shtypi do të ngrihej në këmbë.

Të kishte ndodhur tetë muaj më parë, ndërsa e gjithë kategoria jonë ishte e mobilizuar kundër ligjit të mospublikimit të përgjimeve, do të kishte nisur një zhurmë e madhe. Por sot, përkundrazi, nuk ndodh asgjë. Madje, është më keq. Ka mes përfaqësuesve sindikalistë të gazetarisë që e kanë mbështetur këtë gjest censure, ndërsa të tjerë kanë kërkuar hetime të brendshme dhe masa disiplinore ndaj kolegëve, "që e kanë ekzagjeruar". Sepse njësoj siç bëri Assange me mijëra dokumente të gjetura, edhe në Avetrana, shtypi konsiderohet fajtor se "e ka ekzagjeruar". Njësoj sikur vlera e mendimit të lirë, dhe është detyra jonë ta mbrojmë, të ishte një çështje sasie. Të lirë po, por kini kujdes, jo shumë. Mes 'Wikileaks' dhe Avetrana-s, në thelb, ndryshojnë rezonanca dhe sasia. Ndërsa parimi është i njëjti: me avionë pa pilotë apo me urdhër sekuestrimi; u dashka dënuar kushdo që përlyhet me krimin e habitshëm të lirisë së tepruar.

Referenca[redakto]