Holandezët i mësojnë botës të qëndruarit larg ujit
Ishujt në formë palme në Dubai, forcimi i digave në Nju Orlins dhe pastrimi i ujit në Australi kanë të gjitha një pikë të përbashkët, ekspertizën e holandezëve, të cilët luftojnë prej kohësh t'i mbajnë këmbët në të thatë.
OKB-ja e ka shpallur 22 marsin si Ditën Botërore të Ujit, kushtuar këtë vit temës së ujit dhe qyteteve.
"Ndryshimet klimaterike dhe rritja e nivelit të ujit bëjnë që bota të interesohet gjithë e më tepër për ekspertizën holandeze", pohon Hanneke Heeres, zëdhënës i Unionit të Administratave të Ujit (UVW), duke kujtuar që në vitin 2005, pas uraganit "Katrina", SHBA-ja kishte kërkuar ndihmën e Holandës.
"Në Nju Orlins, ne përmirësuam digat ekzistuese për t'i bërë më të forta, më të larta dhe më të gjera. Por, ne ndërtojmë gjithashtu edhe vepra të reja si prita kundër stuhive", shpjegon nga ana e tij Matthijs van Ledden, i shoqërisë këshillimore "Royal Haskoning". "Me një të tretën e territorit nën nivelin e detit, Holanda lufton që prej ekzistencës së saj kundër këtij armiku natyror që është uji", nënvizon zëdhënësja e Unionit, administrata më e hershme në vend.
Të traumatizuar nga përmbytjet në vitin 1953, që shkaktuan 1 835 të vdekur dhe 72 000 të pastrehë, vendi perfeksionoi koordinimin e luftës kundër ujit dhe ngriti një "Plan delta", që shkurton ndjeshëm vijën bregdetare falë ndërtimit të digave në krah të detit. "Teknikat më të fundit u mundësojnë sot holandezëve të ndihmojnë vendet që ndodhen në zona deltash për të parandaluar më mirë sesa për të shëruar pasojat e katastrofave të mundshme", pohon Gaetano Casale i Institutit për Edukimin ndaj Ujit Unesco-IHE. "Mozambiku, Egjipti, Indonezia, Bangladeshi dhe Vietnami, holandezët përqëndrojnë përpjekjet e tyre në pesë zona deltash", sipas Christina Boomsma, zëdhënëse e Organizatës së Partneritetit Holandez për Ujin (NWP), e cila citon si shembull ndihmën holandeze në Deltën e Mekongut për adaptime ndaj ndryshimeve klimaterike.
Holanda zë 40 për qind të xhiros botërore në fushën e ndërtimeve hidraulike (prita, diga dhe ura kryesisht), ndërsa në territorin e saj ka 2 000 ndërmarrje të specializuara me afro 80 000 të punësuar.
Institute kërkimi, zyra këshillimi, pushtet publik i sensibilizuar dhe ndërmarrje të specializuara, holandezët kanë në shtëpinë e tyre të gjitha elementët e nevojshëm për ekspertizë, nënvizon Bert Groothuizen, zëdhënës i ndërmarrjes për pastrimin e rërës "Van Oord". Tjetër shembull i gjenisë holandeze, ishujt artificialë në formën e palmës apo hartës së botës në Dubai. Për "The World", një arkipelag me mbi 300 ishuj që përfaqësojnë një planisferë, janë gërmuar, transportuar dhe hedhur në katër kilometra brigje 325 milionë metra kub rërë. "Afro 325 milionë metra kub rërë, kjo do të thotë një mur dy metra i gjerë dhe gjashtë metra i lartë, që do t'i binte rrotull tokës", shpjegon për AFP-në zëdhënësi i Van Oord, zbatues i projektit.
"Dhjetë shekuj më parë, holandezët ndërtonin shtëpitë e tyre mbi duna të vogla rëre për t'u mbrojtur nga uji", kujton Groothuizen. "Sapo teknologjia e mundësoi, ata zhvilluan makineri si anijet me drage, të cilat filluan t'i eksportonin më vonë", vazhdon ai. "Bota ka 'Silicon Valley'-in e saj, ne duam të jemi 'Water Valley'-i i saj" (lugina e ujit), përfundon Boomsma, duke iu referuar "luginës së siliciumit", vatër inovacioni teknologjik në Kaliforni, në bregun perëndimor të SHBA-së.
Burimet
[redakto]- "Holandezët i mësojnë botës të qëndruarit larg ujit" — Balkanweb, 22. Mars 2011