Jump to content

Identifikohen të dyshuarit për trafikim organesh në Kosovë

Nga Wikilajme, burimi i lirë i lajmeve që ju mund të shkruani!
Statusi: E mbaruar 12:40, 13 Nëntor 2010 (UTC)
Ju lutem mos bëni asnjë ndryshim thelbësor. Keni ndonjë opinion për këtë lajm? Postojeni!


Gjykata e Qarkut në Prishtinë shumë shpejt do të caktojë seancën e konfirmimit për aktakuzën drejtuar shtatë personave - pesë prej të cilëve kosovarë - për trafikim të organeve njerëzore, krim të organizuar, ushtrim të paligjshëm të aktiviteteve mjekësore dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, thonë përfaqësues të kësaj gjykate. Agjencitë e lajmeve kanë publikuar tashmë emrat e këtyre personave, ndërsa ata vetë nuk e kanë komentuar aktakuzën e ngritur ndaj tyre.

Përfaqësues të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë bëjnë të ditur se obligimi parësor i këtij mekanizmi, duke nisur nga java e ardhshme, do të jetë caktimi i një termini për mbajtjen e seancës së konfirmimit lidhur me aktakuzën kundër pesë të pandehurve për trafikim të organeve njerëzore, krim të organizuar, ushtrim të paligjshëm të aktiviteteve mjekësore dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ndonëse nuk jep hollësi lidhur me natyrën e lëndës dhe kohën kur mund të mbahet seanca e konfirmimit, kryetari i Gjykatës së Qarkut, Isak Ademi, thotë për Radion Evropa e Lirë se në krye të agjendës së punës së gjykatësve të këtij institucioni, do të jetë caktimi i seancës së konfirmimit.

“Ne do t’i marrim të gjitha veprimet për faktin se lënda është e natyrës së tillë dhe do të merret në punë menjëherë. Natyra e lëndës na imponon që ajo të caktohet prioritet për vendosje”, shprehet Ademi.

Komenti i tij pason publikimin e emrave të personave që dyshohet të jenë të përfshirë në rrjetin ndërkombëtar të trafikimit të organeve që operojnë në Kosovë.

Agjencia e lajmeve AP raportoi se e ka siguruar aktpadinë, në të cilën prokurori Xhonatan Ratel ka thënë se “grupi i organizuar kriminal ka trafikuar njerëz në Kosovë, me qëllim të heqjes së organeve, përfshirë veshkat, për t'i transplantuar te personat tjerë".

Sipas AP-së, rrjeti i shtatë të të dyshuarve përfshin pesë kosovarë, një turk dhe një izraelit.

Pesë të dyshuarit nga Kosova, në mesin e të cilëve edhe kirurgu Lutfi Dervishi, djali i tij, Arban Dervishi, dy mjekë të tjerë, Sokol Hajdini e Driton Jilta, dhe ish-zyrtari i lartë në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Rrecaj, thuhet se janë ngarkuar me pesë akuza, duke nisur nga trafikimi i njerëzve deri te ushtrimi i paligjshëm i aktiviteteve mjekësore dhe abuzimi i pozitës.

I kontaktuar nga Radio Evropa e lirë, Rrecaj nuk deshi të flasë për aktakuzën e ngritur ndaj tij. Kjo aktakuzë është ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 15 tetor.

Zëdhënësja e EULEX-it, Kristina Herodes, thotë se para konfirmimit të aktpadisë, nuk mund të jepet ndonjë koment lidhur me rastin, ndërsa thekson se koha e nisjes së seancës së konfirmimit do të merret vesh nga vendimi i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.

“I takon Gjykatës së Qarkut në Prishtinë ta caktojë atë. Mund të ndodhë në të ardhmen e afërt, por nuk do të jepja ndonjë afat kohor për momentin”, deklaron Herodes.

Trafikimi i organeve në nivel ndërkombëtar ka të bëjë me klinikën “MEDICUS” në vitin 2008, në Prishtinë. Në nëntor të po këtij viti, rastin e patën iniciuar zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe ata të UNMIK-ut, ndërsa Policia Ekzekutive e EULEX-it i ka vazhduar hetimet nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Pas mbajtjes së seancës së konfirmimit, thuhet se mund të nisë shqyrtimi i rastit.

Referencat

[redakto]