Itali: Afro 850 Klandestinë zbarkojnë në lampeduza
Dhjetë anije me afro 850 klandestinë mbërritën gjatë natës në ishullin italian të Lampeduzës (në jug të Siçilisë), dhe një tjetër anije me afro 100 persona në bord pritej të mbërrinte sot në mëngjes, njoftoi agjencia italiane e lajmeve, ANSA.
Klandestinët, origjina e të cilëve nuk saktësohet, u shtohen qindra emigrantëve të tjerë të mbërritur gjatë fundjavës në ishull, megjithë kushtet e pafavorshme të motit dhe një det të trazuar.
Të gjithë emigrantët pritet të transferohen në qendrën e pritjes në ishull, ku tashmë ndodhen 1 000 persona, ndërsa kapaciteti i saj është 850 shtretër.
Në shkurt, Italia i bëri thirrje për ndihmë Bashkimit Europian (BE) për të përballuar ardhjet masive të emigrantëve klandestinë kryesisht nga Tunizia, dhe BE-ja ka dërguar tashmë një mision të Frontex-it, Agjencia e Mbikëqyrjes së Kufijve të BE-së.
Burimet
[redakto]- "Itali: Afro 850 Klandestinë zbarkojnë në lampeduza" — Radio Televizioni Shqiptar, 07. Mars 2011