Kanada - Qeveria harper rrëzohet me një mocion historik mosbesimi
Parlamenti kanadez votoi dje një mocion mosbesimi kundër qeverisë konservatore të Stephen Harper, duke vendosur kështu rrëzimin e tij dhe mbajtjen e zgjedhjeve legjislative të parakohshme në fillim të majit. Mocioni i mosbesimit i cilësuar si "historik", pasi motivohet me "fyerje të qeverisë ndaj parlamentit", mori 156 vota pro, ose votat e të gjithë deputetëve të opozitës që ishin të pranishëm dhe 145 votat kundër të konservatorëve.
Në fakt, bëhet fjalë për mocionin e parë të mosbesimit në historinë e parlamentarizmit britanik, modelin e të cilit ka ndjekur Kanadaja, vend i Commonwealth-it, ku mbretëresha Elizabeth II është kryetare e shtetit. Për të ngritur këtë akuzë për fyerje të parlamentit, opozita kishte përmendur kryesisht refuzimin e qeverisë për t'u dhënë deputetëve informacione të sakta lidhur me koston e programit të saj në luftën kundër kriminalitetit, blerjes së avionëve gjuajtës apo zbutje taksash për disa ndërmarrje.
Që në përfundim të seancës, kryeministri Stephen Harper dhe shefi i opozitës liberale Michael Ignatieff bënë deklarata që lidheshin me fushatën elektoral, ku njëri tërhoqi vëmendjen për ekonominë ndërsa tjetri për çështje të etikës dhe demokracisë. Harper bëri të ditur gjithashtu se do të shkonte tek guvernatori i përgjithshëm, David Johnston për t'i njoftuar dorëheqjen dhe për t'i kërkuar shpërndarjen e parlamentit. Sipas traditës, duke dalë nga zyra e përfaqësuesit të mbretëreshsës së Anglisë, kryeministri njofton edhe datën e zgjedhjeve, të katërtat në shtatë vjet në Kanada.
Burimet
[redakto]- "Kanada - Qeveria harper rrëzohet me një mocion historik mosbesimi" — Radio Televizioni Shqiptar, 26. Mars 2011