Komisioni Evropian: Shqipëria penalizohet nga kriza politike
Pas së ëmblës vjen e hidhura. Bashkimi Europian ka dhënë lajmin e keq pas të mirit, që ishte për liberalizimin e vizave. Komisioni Europian ka publikuar opinionin për Shqipërinë, i cili si thelb kishte një fjali: Nuk e merr statusin e vendit kandidat”. Komisioneri i Komisionit Europian për Zgjerimin, Stefan Fyle, prezantoi opinionin për statusin kandidat për disa vende të Ballkanit, përfshi edhe Shqipërinë. Fyle njoftoi se KE-ja miratoi ndër të tjera opinionet për Shqipërinë dhe Malin e Zi. “Nxisim Shqipërinë që të bëjë më shumë përpjekje për progres. Ne kemi përcaktuar disa prioritete kyçe që për rastin e Shqipërisë janë 12. Në këtë mënyrë u kemi dhënë një rrugë të qartë sesi të ecin përpara për çeljen e bisedimeve. Gjithë spektri politik duhet të zgjidhë ngërçin politik, pra të mënjanohet ngërçi dhe t’u adresohen atyre prioritete kyçe”, thuhet në raportin e BE-së. Shqipëria, për shkak të ngërçit politik, nuk ka mundur dot të marrë statusin e vendit kandidat. Zgjedhjet e 8 majit do të jenë test për Shqipërinë dhe në vjeshtë do të bëhet një tjetër perceptim. Mali i Zi mori statusin e vendit kandidat, ndërsa Shqipëria jo. Komisioneri Fyle deklaroi se për Shqipërinë është arritur në përfundimin që negociatat do të hapen sapo vendi të arrijë një nivel të kritereve të Kopenhagës, që kërkojnë stabilitet në institucione, garantimin e demokracisë dhe shtetit ligjor. "I bëjmë thirrje Shqipërisë që të vazhdojë me reformat e mëtejshme", tha Fyle. Komisionieri deklaroi se kësaj here, opinioni ishte më specifik dhe kërkoi që politikanët shqiptarë, të të gjithë kaheve, të tregojnë përgjegjësi të njëjtë. "Politikanët shqiptarë duhet të zgjidhin krizën, nëse arrijnë të dalin nga kriza dhe të përmbushin kriteret, mund të presin një rekomandim pozitiv nga komisioni", tha Fyle. Shqipëria duhet të presë akoma për t’u renditur përkrah vendeve të Bashkimit Europian. Na ngelet vetëm të vetëkënaqemi me heqjen e vizave, edhe pse për këtë vendim historik, vendi ynë renditej ndër të fundit në rajon. Rekomandimi i Komisionerit për Zgjerim, Stefan Fyle, i ka kaluar Bashkimit Europian për vlerësim. Në këtë rekomandim, nuk ka në mënyrë të qartë një rekomandim të dhënies së statusit kandidat. Është specifikuar vetëm që vendi ynë do të jetë në gjendje të çelë bisedimet për negociata sapo të përmbushë detyrimet e nevojshme. Kritika ka pasur edhe për mënyrën e funksionimit të Parlamentit. Ngërçi politik i ka lënë reformat në hije dhe është një shprehje që përsëritet tashmë për Shqipërinë se administrata është e politizuar. Gjithashtu, e pazgjidhur mbetet edhe situata për gjyqësorin.
Kriza politike
[redakto]“Anëtarësimi do të mund të realizohet sa më shpejt, kur vendi të jetë i gatshëm t'u përgjigjet detyrimeve të anëtarësimit, duke përmbushur kushtet politike dhe ekonomike të kërkuara. Anëtarësimi - sipas kritereve të Kopenhagës - kërkon që shteti kandidat të përmbushë stabilitetin e institucioneve, duke garantuar demokracinë, shtetin ligjor, të drejtat e njeriut, si dhe respektimin e mbrojtjen e pakicave”.
Zgjedhjet
[redakto]Lidhur me zgjedhjet, raporti i përmbahet vlerësimit të OSBE/ODIHR si dhe rekomandimeve të bëra prej tyre, për të cilat raporti konstaton se "nuk janë përkthyer ende në një reformë të kënaqshme elektorale, e nevojshme për zgjedhjet e ardhshme". Gjithashtu, raporti konstaton me shqetësim situatën në drejtësi, funksionimin, efikasitetin dhe pavarësinë e gjyqësorit. Sërish për korrupsionin përdoret termi i përdorur edhe një vit më parë, që e përkufizon atë si një problem veçanërisht serioz.[1]
Referencat
[redakto]- ↑ Gazeta-Shqip.Com (10.11.2010)