Kosova pa president Kushtetuesja rrëzon Pacollin, Cfarë do ndodhë
Prej ditës së djeshme Kosova është pa president. Me vendimin e djeshëm Gjykata Kushtetuese ia mohon Behxhet Pacollit postin e presidentit të shtetit, të marrë me vendim të parlamentit më 22 shkurt 2011.
Sipas njoftimit të bërë publik të hënën pasdite, Gjykata Kushtetuese me shumicë votash ka vendosur se zgjedhja e presidentit është bërë në kundërshtim me nenin 86 të Kushtetutës.
Vendimi ishte përgjigje e kërkesës së 34 deputetëve nga LDK dhe AAK, të cilët kërkonin opinonin e Gjykatës rreth procedurës së zgjedhjes së presidentit të Kosovës Behgjet Pacolli.
Neni 86 i Kushtetutës, paracakton procedurat e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, dhe në njoftimin për shtyp të shpërndarë dje nga gjykata kushtetuese nuk është saktësuar se cilat pika të këtij neni janë shkelur.
Gjithashtu njoftimi e Gjykatës nuk saktëson se cilat do të jenë veprimet e mëtejme, nëse do të ketë një rivotim të presidentit aktual, apo duhet të zgjidhet një president i ri.
“Asnjëra nga institucionet qëndrore të vendit, Presidenca, Parlamenti dhe Qeveria, nuk kanë komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe zyrtarët institucionale ka qenë e pamundur të kontaktohen. Përfaqësuesit e partive politike opozitare ndërkaq thonë se është në duar të Gjykatës Kushtetuese të sqarojë, se si duhet vepruar me tej. “- shkruan sot Dw-velle.
Sipas njoftimit të publikuar dje teksti i plotë i aktgjykimit do t’u dërgohet palëve gjatë ditëve në vijim ndërkohë që mediat thonë se Gjykata Kushtetuese është e obliguar që brenda 24 orëve të bëjë publike të gjitha detajet e e vendimit të saj.
Gjithashtu në njoftimin e djeshëm nuk është dhënë asnjë sugjerim për Kuvendin e Kosovës sesi duhet të veprohet tutje, si dhe ndonjë afat kohor se brenda sa kohe duhet të zgjidhet presidenti.
Koha ditore duke iu referuar Burime nga presidenca thotë se në arsyetimin e Gjykatës nuk është përmendur fare termi “kuorum”. Por është lënë të kuptohet se në procesin e votimit për zgjidhjen e presidentit të Kosovës medoemos duhet të jenë të pranishëm në sallë 2/3 e deputetëve e që në rastin e zgjedhjes së Pacollit president nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm. Përveç kësaj Kushtetuesja thuhet të ketë gjetur edhe një shkelje tjetër - atë të procedimit të raundit të tretë, i cili nuk është dashur të mbahej pasi që nuk ka pasur kundërkandidat, si dhe kuorum të mjaftueshëm.
Në nenin 86 të Kushtetutës së Kosovës specifikohet se zgjedhja e të parit të shtetit duhet të bëhet me 2/3 e votave të gjithë deputetëve, gjë që nuk ka ndodhur me rastin e Pacollit. Në zgjedhjen e tij, kanë marrë pjesë vetëm 67 deputetë në të tri raundet e votimit. Pacolli ka arritur t’i marrë 62 vota vetëm në raundin e tretë të votimit, pas “presioneve” që lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, thuhet t’u ketë bërë deputetëve të partisë së tij gjatë një “pauze të dhunshme”, të mbajtur pas përfundimit të raundit të dytë të votimit.
Në dy raundet e para, Pacolli kishte marrë vetëm 54, përkatësisht 58 vota. Dy nga figurat qendrore të PDK-së, Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj, më vonë konfirmuan trysninë që Thaçi ua kishte bërë bashkëpartiakëve të tyre, për ta votuar Pacollin.
Burimet
[redakto]- "Kosova pa president Kushtetuesja rrëzon Pacollin, Cfarë do ndodhë" — BalkanWeb, 29. Mars 2011