Kryeqyteti feston Natën e Bardhë, Bashkia hap dyert për qytetarët
Dita e Çlirimit, për të shtatin vit radhazi në kryeqytetin e vendit festohet ndryshe. Tashmë e kthyer në një traditë, Bashkia e Tiranës ka planifikuar një sërë aktivitetesh, ku pjesëmarrës janë grupmosha të ndryshme, për të festuar Natën e Bardhë.
Bashkia ka parashikuar bashkëpunim të ngushtë me njësitë tregtare të të gjitha llojeve, ndërkohë që qarkullimi rrugor është bllokuar në qendër dhe në rrugët kryesore. Eshte njoftuar se do të ndalohet qarkullimi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” (nga sheshi “Skënderbej deri tek sheshi “Nënë Tereza”), në një pjesë e rrugës (“Dëshmorët e 4 Shkurtit” (nga “Bajram Curri” deri tek kryqëzimi me rrugën “Abdyl Frashëri”) si dhe në Urën e Re me harqe e ish-Bllokut.
Nga statistikat e mëparshme rezulton se gjatë Natës së Bardhë, nëpër rrugët e kryeqytetit qarkullojnë më shumë se 500 mijë persona, të cilët janë padyshim edhe vizitorë nga qytete të tjera të vendit.
Aktivitetet për Natën e Bardhë nisën në orën 18:00 me Bandën e Tiranës, ndërsa ambientet e Bashkisë u hapën për qytetarët, që patën mundësi të shtrëngonin dorën e kryebashkiakut si dhe të merrnin me vete edhe një foto kujtim.
“Gëzuar të gjithë atyre që kanë ardhur sot për traditën e Natës së Bardhë në Tiranë. Ju uroj Gëzuar festën e Pavarësisë, festën e Clirimit, uroj sa më shumë gëzime, shpresa dhe endrra të realizuara për të gjithë” u shpreh kryebashkiaku.
Në programin e Natës së Bardhë ka këngë partizane, filma me temë patriotike dhe shumë koncerte muzikore. Një skenë i është dedikuar muzikës klasike, ku artistë të rinj por dhe me eksperiencë ofrojnë pjesët më të mira klasike nga më të njohurat edhe për publikun.
Skena më e re e fëmijëve dhe të rinjve që frekuentojnë qendrën shumëfunksionale 'TEN', është ndërtuar tek ura e re e Bllokut. Një tjetër risi është që gjatë kësaj mbrëmjeje koncerti i madh do të jetë i tëri i realizuar me grupe artistike folklorike nga zona të ndryshme shqiptare. Do të zhvillohen disa ekspozita, që nga ajo e sahateve të vjetër të Tiranës e deri tek zanatet e ushtruara në këtë qytet.
Ashtu sikurse ndodh cdo vit, pas mesnatës të rinjtë pritet të mbushin baret e clubet e Tiranës deri në të gdhirë. Është hapur kështu, sipari i qytetit që nuk shkon të flejë, i mbushur me drita dhe muzikë deri në agim.
Burimet
[redakto]- BalkanWeb.com (29.11.2010)