Jump to content

Kuzhe: Në Bosnje luajmë para tifozësh të çmendur

Nga Wikilajme, burimi i lirë i lajmeve që ju mund të shkruani!
Statusi: E mbaruar 29 Mars 2011 21:32 (CEST)
Ju lutem mos bëni asnjë ndryshim thelbësor. Keni ndonjë opinion për këtë lajm? Postojeni!


Josip Kuzhe është nga ata që gjithnjë sheh nga e ardhmja. Fitorja 1-0 me Bjellorusinë është "arkivuar" në mendjen e trajnerit kuqezi, ndërkohë që të gjitha energjitë janë përqendruar në sfidën me Bosnje-Hercegovinën. Një rezultat i mirë ndaj skuadrës së Safet Sushiç do të lejonte kombëtaren kuqezi të bënte hapin e madh në eliminatoret e një kompeticioni të rëndësishëm, duke dalë më në fund nga vazoja e pestë e shortit. Edhe pse fitorja me bjellorusët ka krijuar një eufori mbarëpopullore, të gjithë na kampin kuqezi kanë kërkuar të qëndrohet me këmbë në tokë, duke ruajtur si objektiv vendin e katërt në grupin D. "Me Bjellorusinë gjithçka ishte perfekte, jam shumë i lumtur, - tha Kuzhe dje për "Gazetën Shqiptare". - Kemi bërë edhe ndeshje të tjera të mira, por gjithnjë ka pasur probleme, ka pasur reparte që çalonin. Ndërsa këtë herë u kënaqa shumë, sepse ishim gjatë gjithë konstantë dhe morëm atë që dëshironim", shtoi më tej kroati.

Bosnja

[redakto]

Por, duket qartë që Kuzhe është duke menduar për takimin e radhës më 7 qershor. Në Bosnje, Shqipëria do të përballet me një nga ndeshjet më të vështira në transfertë, ndaj një kundërshtari të mbushur me yje dhe që në shtëpi është vërtet shumë i fortë. Por, më shumë sesa kjo, ka diçka tjetër që Josip Kuzhe i druhet. "Më tremb shumë fakti që do të luajmë në Zenica, - thotë ai. - Atje, stadiumi është i vogël dhe tifozët janë të mbledhur, duke krijuar probleme për çdo skuadër. Janë pak të çmendur dhe kjo më tremb", shton Josip Kuzhe. Në fakt, arsyeja përse Federata Boshnjake i zhvendos gjithnjë ndeshjet e rëndësishme në Zenica, lidhet pikërisht me tifozerinë e këtij qyteti, nga më fanatiket në Evropë. Bosnja nuk kishte humbur kurrë në këtë stadium, deri në ndeshjen e Euro 2008 ndaj Hungarisë. Ai është një impiant që mban vetëm 15 mijë vende, por njerëzit janë shumë pranë fushës dhe shpesh krijojnë një atmosferë të frikshme për këdo kundërshtar. Një atmosferë, që Kuzhe duket e njeh mirë, ashtu si gjithë futbollin sllav.

Skuadra

[redakto]

Po çfarë mund të arrijë Shqipëria në Zenica, përballë një kundërshtari të karikuar vetëm për të marrë 3 pikët? Normalisht, një barazim do të ishte rezultat i kënaqshëm, por pas ndeshjes me Bjellorusinë, ndoshta edhe vetë Kuzhe duket disi më euforik për mundësitë e kombëtares kuqezi. "Një barazim në Bosnje është rezultat i mirë vërtetë dhe unë kam besim. Do të na rikthehen Curri dhe Dallku dhe do të ndërtojmë një skuadër shumë të fortë. jam i sigurt për këtë. Një pikë gjithsesi do të ishte mirë, por të shohim", thotë Kuzhe. Shqipëria do të luajë më 7 qershor në Zenica ndaj Bosnje-Hercegovinës, që ka 1 pikë më pak në grupin D.

Renditja aktuale e grupit D

[redakto]
Nr. Skuadra Pikë
1 Franca 12
2 Bjellorusia 8
3 Shqipëria 8
4 Bosnje 7
5 Rumania 2
6 Luksemburgu 1

Burimet

[redakto]