Maqedonia klasifikohet në vendet problematike të Ballkanit

Nga Wikilajme, burimi i lirë i lajmeve që ju mund të shkruani!
Jump to navigation Jump to search
Pntbl.png
Statusi: E mbaruar 11:57, 13 Nëntor 2010 (UTC)
Ju lutem mos bëni asnjë ndryshim thelbësor. Keni ndonjë opinion për këtë lajm? Postojeni!


Maqedonia klasifikohet në vendet “problematike” të Ballkanit nga Komisioni Evropian. Në “Paketën e Zgjerimit” që u publikua zyrtarisht sot në Bruksel, ku përfshihen Strategjia e Zgjerimit dhe raport-progresi individual, ky vlerësim i vjen vendit për shkak të çështjes së pazgjidhur të emrit.

“Shumë probleme të komplikuara mbeten për tu zgjidhur në rajon, përfshirë qeverisjen në Bosnje-Hercegovinë dhe çështjen e emrit të Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Cështjet e hapura dy-palëshe dhe dallimet për statusin e Kosovës mbajtën peng bashkëpunimin rajonal”, thuhet në raport në të cilin Maqedonia përfshihet me vendet me probleme të mëdha si Bosnja e Kosova në Strategjinë e Zgjerimit. Për çështjen e emrit, njësoj si një vit më parë, kërkohet zgjidhja e pranueshme nga të dyja palët dhe shmangja e veprimeve dhe deklaratave provokuese. “Ish republika Jugosllave e Maqedonisë vazhdon të përmbushë mjaftueshëm kriterin politik. Komisioni përsërit rekomandimin për çeljen e negociatave, por meqë vendimi i vendeve anëtare duhet të jetë unanim, mbetet thelbësore zgjidhja e pranueshme bashkërisht për çështjen e emrit, nëpërmjet negociatave të udhëhequra nga OKB”, tha Stefan Fyle, Komisioner për zgjerim i BE-së. Megjithë ruajtjen e rekomandimit për negociatat pas vlerësimit se vendi përmbush ende kriterin politik, dhe pas lavdërimeve për përparime në disa reforma teknike, Komisioni rendit ngecjet në fusha kyçe në vend. “ Përpjekje të mëtejshme nevojiten në shumë fusha që lidhen me kriterin politik, në veçanti shqetësime të vazhdueshme mbeten pavarësia e gjyqësorit, reforma e administratës publike dhe liria e shprehjes në media. Edhe dialogu politik duhet përforcuar ”, rekomandon raporti. Për pjesë e dialogut politik, koalicioni VMRO-BDI vlerësohet si i qëndrueshëm dhe konstruktiv, por nuk harrohet të përmendet mos-plotësimi i Marrëveshjes së Ohrit. “ Marrëveshja e Ohrit mbetet element thelbësor për demokracinë dhe shtetin ligjor në vend. Por përpjekje të vazhdueshme, nëpërmjet dialogut, nevojiten për përmbushjen e objektivave të Marrëveshjes dhe për të garantuar përmbushjen e plotë të saj .” Një pjesë tjetër e rëndësishme e përfshirë në këtë raport është analiza për gadishmërinë e vendit në 33 kapitujt e negociatave për anëtarësim, ku shihet se Maqedonia ka ende shumë punë në përafrimin me legjislacionin evropian. Negociata këto që gjithsesi, vendi nuk do të mund ti nisë pa zgjidhur çështjen e emrit.

Referencat[redakto]