Maqedonia po bëhet krahinë e Serbisë
Përkundër deklarimeve se nuk do të ketë mbledhje të përbashkët të qeverive të Serbisë dhe Maqedonisë, një gjë e tillë pritet të ndodhë së shpejti. Burime diplomatike të gazetës “Lajm” konfirmojnë faktin se dy qeveritë së shpejti do të mblidhen në një tryezë dhe do të diskutojnë për probleme të ndërsjella dhe rajonale.
“Lajm” mëson se janë formuar grupet punuese nga të dy qeveritë, ku marrin pjesë edhe përfaqësues të ministrive të jashtme nga të dy shtetet. Të dy grupet punuese janë duke përpiluar agjendën e bisedimeve, pikat e rendit të ditës, pjesëmarrjen e ministrave dhe vendin e takimit. Në këtë mbledhje të përbashkët të të dy qeverive do të debatohet për hapjen e plotë të kufijve mes dy vendeve (kalimi vetëm me letërnjoftim), ndihmën që qeveria e Serbisë do t’i ndihmojë Maqedonisë për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë si dhe integrimi i rajonit në Bashkimin Evropian. Veç të tjerave kjo mbledhje duhet të dëshmojë se dy shtetet kanë raporte të shkëlqyera bilaterale. Edhe pse sipas informatave të “Lajmit” po bëhen përgatitjet e fundit për këtë mbledhje, zëdhënësi i qeverisë Martin Martinovski thekson se nuk ka informata për një gjë të tillë. “Nuk kam informata deri ku ka arritur ajo iniciativë. Nuk di nëse ka vendim të qeverisë për mbledhje të tillë”, tha Martinovski.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) që janë pjesë e qeverisjes me Nikolla Gruevskin konsiderojnë se kjo mbledhje nuk ka ndonjë efekt të theksuar. “Nuk mendojmë se do të ketë ndonjë efekt të rëndësishëm për Maqedoninë, për këtë arsye ne konsiderojmë se nuk duhet të marrim pjesë në këtë mbledhje”, tha Ermira Mehmeti. Me këtë vendim përderisa pushteti aktual i udhëhequr nga Nikolla Gruevski nuk po tregon kurrfarë gatishmërie për të lëshuar pe në zgjidhjen e çështjes së emrit që hapë dyert për NATO dhe BE, Maqedonia çdo ditë e më shumë po afrohet me Serbinë. “Jugosfera” e paralajmëruar muaj më parë nga revista prestigjioze angleze “The Economist” ka filluar të realizohet dhe vendimi i parë është kjo mbledhje qeveritare.
Ministri i punëve të brendshme të Serbisë, Ivica Dacic gjatë vizitës së tij në Maqedoni, paralajmëroi se është i gatshëm që ta liberalizojnë tërësisht kalimin kufitar ndërmjet serbëve dhe maqedonasve, duke i hequr tërësisht pasaportat dhe duke iu mundësuar shtetasve që kufirin ta kalojnë vetëm me letërnjoftime. Edhe pse nuk janë të zakonshme mbledhje të tilla në botë, Maqedonia është e vendosur që të bëhet aleate e Serbisë që të integrohet më lehtë në strukturat euroatlantike dhe në BE. Megjithatë sa është i mençur ky vendim kur kihet parasysh se vetë Serbia nuk është as pjesë e NATO-së dhe e BE-së, pritet të dëshmojë koha.
Referenca
[redakto]- Lajmet.com (06.12.2010)