Jump to content

Megjithë përmirësimin e motit, në Shkodër situata vazhdon të jetë e rëndë

Nga Wikilajme, burimi i lirë i lajmeve që ju mund të shkruani!
Statusi: E mbaruar 19:26, 10 Dhjetor 2010 (UTC)
Ju lutem mos bëni asnjë ndryshim thelbësor. Keni ndonjë opinion për këtë lajm? Postojeni!


Përmirësimi i motit është shoqëruar sot me tërheqjen e ujrave nga rreth 2200 hektarë tokë të përmbytura, kryesisht në zonën fushore të Nënshkodrës, por edhe në disa prej lagjeve të përmbytura brenda në qytet.

Megjithatë, harta e përmbytjes vazhdon të jetë e shtrire në 12 mijë hektarë tokë bujqësore. Ndërkohë të përmbytura janë 4660 shtëpi banimi dhe rreth 3500 të tjera gjenden të rrethuara nga uji.

Nga të dhënat e publikuara nga emergjencat civile, zonat më të dëmtuara nga përmbytjet e ditëve të fundit janë komunat Dajç e Bushat si dhe vetë qyteti i Shkodrës, ku edhe sot gjenden të rrethuar nga uji rreth 20 mijë banorë.

Tashmë, një sfidë e vërtetë për strukturat e emergjencave civile është furnizimi i popullsisë me ujë të pishëm. Të gjithë ujësjellësit e fshatrave të përmbytur kanë dalë jashtë funksionit dhe popullata e mbetur brenda zonës së përmbytjes po furnizohet me ujë të ambalazhuar dhe me makinat zjarrfikese.

Por, bllokimi në qytet i kolektorëve të ujrave të bardha dhe atyre të zeza ka krijuar një situatë të rëndë sanitare në lagjet e përmbytura. Situata është e vështirë edhe në stacionin e pompimit të ujësjellësit që furnizon rreth 150 mijë banorët e qytetit, kjo, sipas drejtoreshës së këtij ujësjellësi, Sabahete Villa, për shkak të vërshimit të ujrave edhe në mjediset e këtij stacioni.

Janë marrë të gjitha masat për klorinimin e ujit, është i pijshem , por i eshte rekomandu të gjithë qytetarëve qe, për masa sigurie, përpara përdorimit ta ziejnë ujin vetëm gjatë këtyre 24 orëve të ardhëshme, sepse, kemi vënë në punë edhe pompat e vjetra. Ne kemi qenë krejt në nivelin e Liqenit, por janë marrë masa dhe janë krijuar disa vaska duke hedhë 1200 metër kub stabilizant për të mbrojtë territorin e ujësjellësit. Dhe ka qenë një sasi prej 185 litra ujë në sekontë që është largu me pompa nga nenstacioni.

Situata e krijuar në ujësjellesin e qytetit ka nxitur sot Kryetaren e Parlamentit, zonjën Jozefina Topalli, të shikojë nga afër gjendjen dhe të nxisë strukturat shtetërore në mbrojtje të ujësjellësit.

Ndërkohë, edhe sot kanë vazhduar operacionet për evakuimin e popullatës së rrezikuar në zonat e përmbytura. Një ditë më parë, autoritetet e emergjencave civile thanë për Zërin e Amerikës, se numri i përsonave të evakuuar ka arritur tashmë në rreth 20 mijë.

Burimet

[redakto]