Murinjo-Redknap elozhe njëri-tjetrit në distancë
Real Madrid-Totenhem do të jetë një betejë sportive dhe asgjë më shumë. Gjithçka lidhet me miqësinë që ekziston mes Zhoze Murinjos dhe trajnerit të Spërsave Herri Redknap.
“E lashë Anglinë në 2007-tën dhe Totenhemi atëherë nuk ishte as në Kupën UEFA, - tha sot Murinjo. – Martin Jol nisi të bënte një punë të mirë, por Herri e vazhdoi në një mënyrë fantastike. Jam shumë i lumtur për të. Ai është një nga miqtë e vërtetë që bëra në Angli. Jam i lumtur që do ta takoj dhe ta uroj për punën fantastike që ka bërë”, shtoi portugezi. I kënaqur për këtë përballje ka qenë edhe Redknap.
“Ai është një nga trajnerët më të mëdhenj në botë dhe që ka bërë gjëra të mëdha në Angli. Kishte një personalitet të jashtëzakonshëm”, deklaroi Redknap për Murinjon. Ndërkohë, “Special One” e quajti tepër të vështirë përballjen me skuadrën londineze, e cila në të tetat e finales eliminoi Milanin. “Ata janë një skuadër angleze dhe unë e njoh mentalitetin e tyre, kështu që është shumë e vështirë”, deklaroi Murinjo, që shtoi se ishte i lumtur që nuk u përball me Interin në këtë fazë.
Burimet
[redakto]- "Murinjo-Redknap elozhe njëri-tjetrit në distancë" — LajmeSport.com, 19. Mars 2011