Opozita rinis sot protestat kundër qeverisë
Opozita do të protestojë sot në qytetin e Durrësit. Në emër të ‘Opozitës së Bashkuar’, kreu i PLD, Spartak Ngjela bëri të ditur dje se e vetmja mënyrë për rrëzimin e qeverisjes dhe largimin e Berishës nga posti i kryeministrit janë protestat.
“Nesër (sot) ‘Opozita e Bashkuar’ rinis protestat në Durrës. Me këtë rast më lejoni të shpreh bindjen e patundur se një regjim të paligjshëm, se një qeveri që nuk pyet fare për frymën e shoqërisë, një qeveri e cila nuk drejton me shkencë, por me njerëz që i ka sjellë në funksion të korrupsionit dhe të privilegjeve që ua jep në raport me ndihmat joligjore që kanë dhënë. Një qeveri e tillë largohet nga skema vetëm me protesta masive. U kërkojmë shqiptarëve që të dalin masivisht nëpër këto protesta, sepse përmbytja e fundit tregoi saktësisht se kjo qeveri dhe jo vetëm kjo, kurrë nuk kanë pasur një bazament shkencor në drejtimin e tyre”, - tha dje Ngjela
Për më tepër Ngjela i cilësoi si mashtrime deklaratat e kryeministrit se do t’i dëmshpërblejë banorët e përmbytur në zonën e Shkodrës.
Më datën 6 dhjetor, ‘Opozita e Bashkuar’ ndërmori një protestë në qytetin e Pogradecit. Në këtë takim, kreu i opozitës, Edi Rama u shpreh se “protestat do të jenë të pandalshme për të çliruar vendin nga kthetrat e oborrit të korrupsionit”.
Nga ana e tij kryeministri Berisha akuzon kryesocialistin Edi Rama se është kundër lëvizjes së lirë dhe se ka tentuar të bllokojë këtë proces, që me protestat e bëra, si dhe me dezinformimin ndaj ndërkombëtarëve për rrezikun që mund t’i vijë këtij procesi.
Burimet
[redakto]- S.g.. "Balkanweb.com" — 15. Dhjetor 2010