Përmbyllet fushata, heshtje zgjedhore
Fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 12 dhjetorit, ka përfunduar të premten në orën 24:00, ndërkohë që të shtunën në orën 07:00 do të fillojë heshtja zgjedhore e medieve, e cila do të zgjasë deri në mbylljen zyrtare të vendvotimeve. Zgjedhjet parlamentare të së dielës, të parat në Kosovën e pavarur, shihen edhe si test i rëndësishëm për demokracinë e shtetit më të ri në botë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se janë bërë përgatitjet e duhura për organizimin e zgjedhjeve të lira parlamentare. Numri i përgjithshëm i votuesve për zgjedhjet e 12 dhjetorit është 1 milion e 630 mijë e 636 persona. KQZ-ja po ashtu ka bërë të ditur se do të fillojë shpërndarja e materialit të ndjeshëm në të gjitha depot e komisioneve komunale. Ndërsa, të dielën, në orët e hershme të mëngjesit, ky material do të shpërndahet nëpër qendra dhe vendvotime.
Për gjithë procesin parashihet të përkujdeset Policia e Kosovës, e cila ka angazhuar rreth 6 mijë zyrtarë policorë. Për mbarëvajtjen e procesit, KQZ-ja ka paraparë që të ketë edhe listën alternative prej 75 vendvotimesh, kryesisht për viset e banuara me serbë. Kurse, 114 ekipe mobile janë lënë në dispozicion për votimet në veri të Kosovës. Zgjedhjet e së dielës do t’i monitorojnë mbi 32 mijë vëzhgues, prej tyre, mbi 26 mijë u përkasin partive politike, 493 organizatave ndërkombëtare, 351 ambasadave si dhe mbi 5 mijë vëzhgues nga organizatat joqeveritare. Komisioni i Pavarur për Media, për të ndihmuar të licencuarit që të veprojnë në pajtim me Ligjin për Zgjedhjet, ka nxjerrë tre udhëzues, sipas të cilit “asnjë person ose medium nuk transmeton ose publikon çfarëdo materiali që i takon aktivitetit të fushatës gjatë periudhës që fillon njëzetekatër (24) orë para hapjes së vendvotimeve deri në mbylljen zyrtare të vendvotimeve”. Kjo ndalesë përfshinë transmetimin e deklaratave të kandidatëve që garojnë për zgjedhjet e përgjithshme, transmetimin e çdo aktiviteti të subjektit politik të certifikuar dhe deklaratat e pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore.
Në zgjedhjet e së dielës, zgjedhjet e para parlamentare në Kosovën e pavarur, do të marrin pjesë 29 subjekte politike, me gjithsej 1.265 kandidatë për deputetë në Kuvendit të Kosovës. Gara do të zhvillohet për 100 ulëse në Parlament, pasi që 20 ulëse të tjera janë paraprakisht të rezervuara: 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitetet tjera pakicë.
Burimet
[redakto]- Telegrafi. "Lajmet.com" — 11. Dhjetor 2010