Pasqyra e shtypit britanik
E përditshmja britanike, Guardian hapet me njoftimin se rreth 100 mijë punonjës të sektorit publik këtu pas Krishtlindjeve do të dëgjojnë lajme të këqija: se kanë humbur vendet e punës.
Ky sektor, do të ndjejë i pari efektin e masave shtrënguese të njoftuara nga qeveria në muajin tetor për të luftuar deficitin buxhetor. Në faqet e brendshme gazeta njofton ndërkohë se numri i të papunëve në vend ka kapur 2.5 milionëshin dhe shton se sipas analistëve, papunësia gjatë dy viteve të ardhshme do të kapë 3 milionëshin. Times shkruan se edhe papunësia në vend ka arritur nivelin më të lartë të 16 viteve të fundit. Financial Times vazhdon të ndjekë zhvillimet ekonomike në eurozonë. FT shkruan se në prag të samitit të BE-së që i fillon punimet t;enjten në Bruksel, kancelarja gjermane Merkel është kritikuar ashpër për "dëmin që i ka bërë reputacionit të Gjermanisë para partnerëve evropiane me qëndrimin e saj "të pavendosur dhe jo-evropian" në çështjen e borxheve të eurozonës.
Gazeta njofton se Portugalia ka miratuar një paketë refomash ekonomike, e cila synon që t'u japë garanci partnerëve evropianë se qeveria po regaon ndaj presionit që po i bëhet për të forcuar ekonominë. Gazeta shton se ky fakt do t'i japë kryeministrit portugez argumenta për të prezantuar para udhëheqësve të BE-së në samit, ku mes të tjerave, priten të merren masa për të mos lejuar përhapjen e krizës së borxheve në Portugali dhe Spanjë. Daily Telegraph shkruan se pas njoftimit të njërës prej agjensive kryesore që bëjnë klasifikimin e vendeve në bazë të aftësisë së tyre për të paguar huatë, për mundësinë e uljes në klasifikim Spanjën, ka shtuar frikën rreth krizës së borxheve të eurozonës. FT shkruan për zhvillimet politike në Itali, pasi kryeministri Berlusconi i mbijetoi mocionit të mosbesimit. Në një korrespondencë nga Roma, gazeta njofton se disa udhëheqës të opozitës kanë nisur përpjekjet e para zyrtare për krijimin e një aleance centriste kundër Berlusconit.
Në një deklaratë për shtyp, njofton gazeta, ata thanë se përfaqësojnë mbi 100 deputetë të parlamentit dhe do të përgatisin një platformë të përbashkët për zgjedhjet vendore në pranverë. "Tragjedia që turpëron australinë", ky është titulli me të cilin hapet Independet, duke iu referuar mbytjes së të paktën 27 azilkërkuesve në brigjet e Australisë.
Gazeta thotë se për tragjedinë, është bërë fajtore politika e vijës së ashpër që ndjek Australia ndaj refugjatëve. Dhe të gjitha gazetat britanike botojnë njoftimin se themeluesi i rrjetit social Facebook në internet, është shpallur personaliteti i vitit nga revista amerikane Time.
Guardian njofton se në garë përveç 26 vjeçarit miliarder, ishin Lëvizja Tea Party, presidenti afgan, Karzai, themeluesi i Wikileaks dhe 33 minatorët kilianë që u nxorrën me sukses nga nëntoka.
Burimet
[redakto]- V.i.. "BBC-Albania" — 16. Dhjetor 2010