Jump to content

Rëndohet situata nga përmbytjet

Nga Wikilajme, burimi i lirë i lajmeve që ju mund të shkruani!
Statusi: E mbaruar 18:10, 02 Dhjetor 2010 (UTC)
Ju lutem mos bëni asnjë ndryshim thelbësor. Keni ndonjë opinion për këtë lajm? Postojeni!



Situata e emergjencës në zonat e fatkeqësisë natyrore të përmbytjes në Shkodër paraqitej edhe më shumë e rënduar mëngjesin e së enjtes.

Ushtria dhe policia është përfshirë në operacionin e shpëtimit dhe evakuimit të banorëve edhe nga ajri. Harta e përmbytjes është shtrirë në të gjithë zonën e Nën Shkodrës duke përfshirë 8 komuna fushore dhe lagjet periferike të qytetit. Mbi 8 mijë hektarë tokë janë nën ujë, dhjetra banesa të përmbytyra ndërkohë që 2 mijë të tjera janë të rrethuara nga uji. Vërshimi i lumenjve Drin dhe Bunë ka bërë ta pakalueshme disa segmente jugore që lidhin fshatrat me qendrat e komunave dhe qytetin. Lumi i Bunës ka dalë edhe mbi urën hyrëse të qytetit të Shkodrës si dhe ka përmbytur lagjet periferike të tij. Banorët që përjetojnë përmbytjen e pestë brenda këtij viti thonë se mosfunksionimi i sistemit të kullimit është ndër arsyet kryesore të përmbytjeve të shpeshta.

Në komunën e Dajçit gjenden nën ujë rreth 1.600 ha tokë bujqësore, si dhe komunat Bërdicë dhe Ana e Malit. Mbi 300 familje janë evakuar gjatë 2 ditëve të fundit nga këto komuna. Fshati Obot në komunën e Anës se Malit për të pestën herë brenda këtij viti është shndërruar në një ishull ku mund të hysh vetëm me ndihmën e varkave të ushtrisë që janë vendosur pranë rrugës kombëtare, të cilat bëjnë operacionet e evakuimit të banorëve dhe bagëtive. "Jemi mbi 1 metër ujë. Situata është shumë e keqe. Komplet fshati jemi të rrezikuar. Që nga mëngjesi e deri tani kemi nxjerre 10 krerë lopë sepse është shtuar uji në masë dhe kanë frikë fshatarët", thotë për BBC-në ky banor.

Autoritetet janë vënë në krye të shtabit të emergjencës civile për të monitoruar dhe menaxhuar situatën. Ato po iu bëjnë thirrje banorëve që të bashkëpunojnë më policinë dhe ushtrinë për t'u evakuar. Ministri i brendshëm Lulzim Basha tha se në dispozicion të evakuimit të sigurtë të banorëve janë vënë dhjetëra mjete të ushtrisë dhe policisë. "Mënyra sesi mund të eleminojmë potencialin negativ përsa i përket popullsisë, është nëpërmjet evakuimit. Në Shkodër janë marrë të gjitha masat për të sistemuar të gjithë personat e evakuar. Gjithashtu qendra evakuimi të përkohëshme po krijohen në Pentar, në Sukën e Dajçit dhe së shpejti në plazhin e Velipojës. Shtabet në mbështetje të prefekturës kanë urdhëra specifikë për të ekzekutuar në mënyrë efiçente evakuimin e gjithë banorëve. Është e domosdoshme që banorët t’i përgjigjen thirrjes për evakuim me një ndërgjegjësim të rritur. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë alternativë tjetër përveç evakuimit në këto kushte të rënduara", tha ministri Basha.

Krahas evakuimit, drejtuesit vendorë në Shkodër thonë se po kryhen operacione për dërgimin e ndihmave ushqimore për banorët dhe gjenë e gjallë në ato zona që janë të rrethuara nga uji, por që nuk ka rrezik për banesat.

Përmbytja e herëpashershme e zonës së Nën-Shkodrës dhe e rrethinave të qytetit, nga autoritetet e shtetit shpjegohet me faktin kryesisht të pozicionit të veçantë gjeografik të kësaj zone rrethuar nga ujërat e shumë lumenjve dhe të liqenit. Kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli, gjatë inspektimit të gjendjes e ka quajtur të pamundur evitimin e situatave të tilla në këtë zonë ku ka shkarkime të mëdha ujore. "Jemi në kushtet e një çmendurie të lumenjve që e rrethojnë qytetin e Shkodrës. Asnjë qytet tjetër, asnjë pjesë e rajonit të Ballkanit si pjesa e Nën-Shkodrës nuk është e vendosur në mënyrë të tillë që të gjitha shkarkimet nga gjysma e Ballkanit të derdhen në këtë pjesë të basenit të Shkodrës", tha znj. Topalli.

Gjatë muajve të verës të këtij viti për të evituar përmbytjet është punuar për ngritjen dhe riparimin e disa argjinaturave në komunat që shtrihen në brigjet e lumenjve Drin dhe Bunë. Pavarësisht këtyre punimeve dhe investimeve të konsiderueshme financiare, Shkodra përjeton aktualisht një nga situatat më problematike të përmbytjeve.

Shihe dhe këtë

[redakto]

Referenca

[redakto]