Rama: Nderojmë viktimat me lule e qirinj Berisha: Anuloj tubimin
Kryesocialisti Rama me anë të një deklarate për mediat, i bëri apel të gjithë qytetarëve shqiptarë që duan të jenë pjesë e demonstratës homazh, që ti bashkohen rrugës së opozitës vetëm për të nderuar viktimat, me lule, qirinj e lutje.
- “Të gjithë miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë kanë një apel për qytetarët shqiptarë. Kush dëshiron t’i nderojë tre viktimat me lule e qirinj në duar është i ftuar të marrë pjesë në homazhet e 28 janarit. Kush do të lutet me qirinj shprese për këto viktima, është i ftuar të marrë pjesë. Kush dëshiron t’i tregojë botës mbarë se shqiptarët rrihen e vriten në mes të Europës megjithatë nuk bien më pre e dhunës, le të bashkohen me ne”,- tha Rama.
Sipas kreut të selisë rozë në këtë demonstratë nuk ka vend për ata që besojnë tek dhuna. “Kush beson tek verbëria e dhunës nuk ka lidhje me rrugën tonë drejt paqes. Kush beson tek hapja e plagëve të reja për të mbyllur plagë të vjetra, nuk ka lidhje me rrugën tonë të rezistencës paqësore, kush mendon se kjo është luftë për të marrë pushtetin nga rruga, gabohet”,- theksoi Rama. Sipas tij “Ne e duam Shqipërinë një vend ku të ndërtohet një shtet për qytetarët dhe të mbarojë një shtet i kapur nga qeveritarët”.
Ndërsa kryeministri Sali Berisha ulet ndaj presionit të Bashkimit Europian, SHBA dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare dhe pranon të anulojë mitingun e planifikuar për të shtunën. “Mitingu nuk do të bëhet. Ishte kërkesë e ligjshme dhe logjike e partnerëve ndërkombëtarë që ndjekin me vëmendje situatën në Shqipëri.”- tha Berisha në mbledhjen e qeverisë, duke shtuar se “Mitingu nuk ka patur qëllim, ka qenë vetëm kundër dhunës, por ky qëllim mund të keqkuptohet”. “Ju garantoj se në mënyrë absolute nuk ka pasur qëllim tjetër vetëm anti dhunë.”- përsëriti Berisha.
Burimet
[redakto]- d.b.. "Balkanweb.com" — 26. Janar 2011