Rama letër Berishës: Hetim materialeve zgjedhore, jo fletëve
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama zyrtarizon kërkesën për hetim të materialeve zgjedhore të 28 qershorit 2009 duke hequr dorë nga fletët e votimit.
Sot në mëngjes selia rozë konfirmoi se kryetari socialist i ka dërguar dje një letër zyrtare kryeministrit Sali Berisha, dhe pak orë më vonë publikoi dhe përmbajtjen e letrës.
Në letër Rama përsërit atë që ka thënë disa herë publikisht në emër të opozitës se oferta e re ka të bëjë me "hetimin e materialeve zgjedhore, pa përfshirë fletët e votimit".
Kryetari socialist nis letrën e tij me shqetësimin për "zgjatjen dramatike të krizës" duke bërë me faj "mungesën e gadishmërisë së qeverisë për të pranuar zgjidhjet e ofruara nga opozita". Më tej në letrën drejtuar Berishës thuhet se oferta e re bëhet "në emër të interesave të vendit e në fuksionin të axhendës europiane të tij, t'ju bëjmë një ofertë të re"
Sipas Ramës oferta bazohet në rezolutën e PE-së dhe përmban propozimin që ai vetë disa javë më parë i dorëzoi kryeministrit Sali Berisha. Projekti është firmosur nga 30 deputetë të opozitës dhe konsiston në "ngritjen e menjëhershme të komisionit hetimor për zgjedhjet, me shumicë nga opozita, e nën drejtimin e opozitës, me një mandat të plotë hetimi për kutitë e materialeve zgjedhore. Pa përfshirë fletët e votimit."- nënvizohet në letër. Fjalia e fundit "Pa përfshirë fletët e votimit" në letrën e Ramës është nënvizuar me të zezë.
Kryetari socialist vazhdon më tej se “për hir të kompromisit të domosdoshëm që duhet t’i japë fund krizës politike të vendit” ata nuk i kërkojnë “fletët e votimit për këtë hetim”.
Në letër Rama lë të kuptohet se pavarësisht qëndrimit që do të mbahet me to, nëse ruhen apo digjen, socialistët “nuk e kushtëzojnë marrëdhënien e mëtejshme me parlamentin me fatin e fletëve të votimit”.
Kryetari socialist rikonfirmon se me "nisjen e procesit të hetimit, opozita është e gatshme të nisë dhe dialogun për reformën zgjedhore."
Letra i është dërguar për dijeni edhe presidentit të komisionit europian Hose Manuel Barozo, komisionerit për Zgjerimin Stefan Fyle dhe drejtuesve të grupimit të së djathtës e së majtës në Parlamentin Europian.
Referencat
[redakto]- BalkanWeb.com (13.11.2010)