Jump to content

Shalke e frikshme, Interi katastrofë edhe në Evropë

Nga Wikilajme, burimi i lirë i lajmeve që ju mund të shkruani!
Statusi: E mbaruar 6 Prill 2011 15:28 (CEST)
Ju lutem mos bëni asnjë ndryshim thelbësor. Keni ndonjë opinion për këtë lajm? Postojeni!


Një ndeshje të tillë nuk do ta kishte menduar as tifozi më fanatik i Shalkes. Skuadra gjermane ka nxjerrë jashtë Champions League Interin, me një fitore spektakolare në shifrat 5-2 në "San Siro", në një fushë të vështirë edhe për ekipet e mëdha të kontinentit. Ka qenë gjithçka e pabesueshme ajo që ka ndodhur mbrëmë me Interin. Në avantazh që në minutën e parë, skuadra kampione e Evropës është shpërfytyruar në një mënyrë të turpshme, duke i dhënë praktikisht lamtumirën kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube. Me një mbrojtje të shthurur dhe me një skuadër që dukej ende nën "shock" nga disfata në derbi, Interi ka pësuar humbjen më të rëndë të viteve të fundit. Nuk ka funksionuar asgjë në formacionin zikaltër, duke nisur nga sulmi, që ka gabuar në një mënyrë të çuditshme ato raste që janë krijuar, por sidomos në mbrojtje, ku golat pësohen si një ekip amator. I çuditshëm edhe Leonardo, që në momente të caktuara duket se nuk ka asgjë nën kontroll.

Braziliani ka bërë një ndërrim mbi ndërrim në takimin e mbrëmshëm, ç'ka tregon se ditët e lumtura në krye të Interit kanë mbaruar. Në pjesën e parë, ai futi Karzha në vend të Stankoviç të dëmtuar, ndërsa në pjesën e dytë, e nxorri atë për Nagatomon. Një rrëmujë e vërtetë, një konfirmim se ky nuk është viti i zikaltërve. Pas peripecive me Benitez, me të cilin Interi nuk trembte askënd, u duk se gjërat u rregulluan me Leonardon, por në dy ndeshjet e fundit trajneri zikaltër ka treguar limitet e tij. Ndërkaq, një notë "10" për Shalken e Ralf Rangnik, një skuadër që në kampionat është duke u përballur me rrezikun e rënies, por që në Champions League dhe në Kupën e Gjermanisë ka treguar një nivel krejt tjetër.

Ndeshja

[redakto]

Takimi i mbrëmshëm nisi menjëherë me gol për Interin. Manuel Nojer largon një top me kokë në kufijtë e zonës, i shqetësuar nga Milito, ndërkohë që Stankoviç nga mesfusha e dërgon në rrjetë, duke çuar në delir tifozerinë. Por, në minutën e 17-të Matip ka barazuar shifrat pas një rrëmuje në zonë, duke shtyrë topin drejt portës së Zhulio Sezar. Interi gjithsesi tregon se është kampionia e Evropës, duke realizuar një aksion perfekt në minutëne 34-t.

Shnajder kroson për Kambiason, ky e ul me kokë për Militon dhe "El Principe" e çon ndeshjen në 2-1. Fitore e sigurt? Aspak. Shalke nuk dorëzohet dhe Edu gjen golin e barazimit 5 minuta para fundit, duke lënë të shokuar interistët. Pjesa e dytë nis me dy mundësi të mira për italianët, në fillim me Militon që gabon fatalisht dhe më pas me Eto, që ndalohet nga Nojer. Por, është Shalke ajo që nuk gabon, me Raul Gonzales, që mposht për herë të tretë Zhulio Sezar në minutën e 53-të.

Katër minuta më pas, një top i futur nga e djathta dërgohet në rrjetë nga Ranokia, që e bën mbrëmjen akoma më të zezë. Sikur të mos mjaftonte kjo, Kivu del me karton të kuq, ndërsa Shalke shënon edhe golin e pestë në minutën e 75-të me Edu. Interit tashmë i duhen 4 gola në Gjermani për të shpresuar.

Burimet

[redakto]