Shoqëria civile: Përfshini trashëgiminë kulturore në programet zgjedhore
Përfaqësues të shoqërisë civile nga fusha e kulturës e përfaqësues të mediave shqiptare bënë publike paraditen e sotme një promemorje në lidhje me situatën e trashëgimisë kulturore në zgjedhjet vendore të 8 majit.
Në tryezën e rrumbullakët "Trashëgimia kulturore, mes premtimeve dhe lëshimeve elektorale", u diskutua në lidhje me situatën aktuale të veprimtarisë së të zgjedhurve vendorë në qëndrimet ndaj trashëgimisë kulturore, fokusimin e kandidatëve në çështjet e ruajtjes së trashëgimisë, etj.
Kryetari i shoqatës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, Artan Lame, u shpreh gjatë takimit se kjo fushatë elektorale ka nisur shumë e impostuar politikisht, gjë që e vështirëson orientimin e njerëzve në probleme që lidhen direkt me çështje të qytetit të tyre.
Një pikë tjetër, që u diskutua nga të pranishmit në këtë tryezë, Maks Velo, Aleksandër Çipa, Mustafa Nano, Iva Tare, etj., ishte edhe tërheqja e vëmendjes së elektoratit në kërkesat ndaj kandidatëve në drejtim të trashëgimisë kulturore.
Në promemorjen drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, Partive Politike, Shoqatës së Bashkive, Shoqatës së Komunave disa nga pikat që u drejtohen kandidatëve janë: përfshirja në programet zgjedhore të marrjes së masave që kanë të bëjnë me ruajtjen e trashëgimisë kulturore, ruajtjen e sa më shumë hapësirave të mbetura publike, parqe, ambiente sportive; marrjen e përgjegjësisë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, etj.
Burimet
[redakto]- "Shoqëria civile: Përfshini trashëgiminë kulturore në programet zgjedhore" — Balkanweb, 01. Prill 2011