Shume greke gjejne pune ne Turqi
Me nje ekonomi në recesion të thellë, disa grekë po shikojnë tek komshinjtë turq, shpesh në Stamboll, për shansin e një jete më të mirë. Ky është një zhvillim i shënuar po të kemi parasysh se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë pasur periudha alternative të armiqësisë reciproke dhe pajtimit, qëkur Greqia fitoi pavarësinë nga Perandoria Osmane në vitin 1821. Eleni Varmazi është një nga shumë personat që kanë gjetur punë në Stamboll. Ajo jep mësim në njërin prej universiteteve private të kryeqendrës ekonomike të Turqisë, sipas së përditshmes “The Sofia Echo”.
“Unë aplikova për në Britaninë e Madhe, në Irlandë, në Bruksel në Bashkimin Evropian, në Qipro për shumë pozicione, dhe këtu gjithashtu. Jam shumë e lumtur me punën, me studentët. Po prisja të mësoja studentët turq dhe gjithçka po shkon mirë në këtë drejtim. Është edhe më e përshtatshme sesa të gjesh punë në Londër apo Berlin”, theksoi Varmazi. Ionis Grigoriadis, ekspert për marrëdhëniet ndërkombëtare në Bilkent University, thekson se fakti që gjithnjë e më shumë grekë po vijnë në Stamboll tregon se marrëdhëniet mes dy vendeve janë përmirësuar. “Nuk ka asgjë të përbashkët me rrethanat e vështira të viteve ’90, kur dy vendet patën arritur në prag të luftës”, theksoi Grigoriadis.
Burimet
[redakto]- "www.RTSH.com - Radio Televizioni Shqiptar" — 30. Dhjetor 2010