Sony zbulon vjedhjen e të dhënave bankare për mijëra përdorues
Kompania gjigante e elektronikës "Sony" njoftoi se gjatë një hetimi lidhur me piratimin e rrjetit të saj "Playstation" zbuloi se mijëra përdoruesve të sistemit të lojërave në internet "Sony Online Entertainment" (SOE) u ishin vjedhur të dhënat bankare.
"Të dhënat personale të afro 24,6 milionë llogarive SOE mund të jenë vjedhur, si dhe disa informacione të tjera nga një bazë e vjetër të dhënash që datonte në 2007", bëri të ditur "Sony" në një deklaratë për shtyp.
"Informacionet e bazës së vjetër të të dhënave që mund të jenë vjedhur përmbajnë numrat e kartave dhe datat e skadimit (por jo kodet e sigurisë) për afro 12 700 karta krediti ose debiti jo amerikane dhe afro 10.700 pasqyra debiti direkt të disa klientëve në Austri, Gjermani, Holandë dhe Spanjë", saktësoi "Sony".
Kompania japoneze, e cila kërkoi falje dhe njoftoi masa të tjera sigurie për të mbrojtur dhjetëra milionë klientët e rrjetit "PlayStation", saktësoi se inxhinierët e saj kishin rishikuar sistemin SOE.
Burimet
[redakto]- "Sony zbulon vjedhjen e të dhënave bankare për mijëra përdorues" — BalkanWeb, 03. Maj 2011