Takimi i G-20-ës vendosi reformën e tregut financiar
Reforma e sistemit ndërkombëtar financiar është vënë tashmë në rrugë. Ky është rezultati më i rëndësishëm i samitit të G-20, i cili përfundoi të premten (12.11.) në kryeqytetin koreanojugor Seul.
Ishte një natë e gjatë për negociatorët nga 20 vende: trysnia ishte e madhe, për t'u paraqitur shefave të premten në mëngjes (12.11.) një deklaratë përfundimtare që ata mund ta firmosnin. Pikat e kontestueshme nuk mungonin: si duhet vepruar me disbalancat në tregtinë botërore? Si mund të ndalohet një garë për valuta të lira? Pyetje të cilat i kishte drejtuar fare qartë para së gjithash presidenti i SHBA-së Barack Obama, duke pasur parasysh vendet eksportuese Gjermani dhe Kinë. Fronti Berlin-Pekin i bëri ballë trysnisë, Obama në fund u detyrua të kënaqej me një kompromis. Një përcaktim të qartë objektivash, se sa të larta mund të jenë tepricat e bilanceve tregtare, nuk do të ketë. Brenda kuadrit të FMN-së do të gjehen mekanizma, për trajtimin e problemit të disbalancave. Me këtë vendim mund të jetë e kënaqur kancelarja Merkel, e cila foli për negociata të lodhshme e disa herë të vështira: "Në këtë samit folëm shumë hollësisht për mënyrat se si mund të krijojmë rritje të vazhdueshme, të balancuar dhe të qendrueshme. Ne kemi rënë dakord që të mos i lidhim me një tregues rritjen e qendrueshme dhe disbalancat, por që për to nevojiten një numër faktorësh. Këto karakteristika tani duhet të diskutohen dhe me këtë do të merren hollësisht ministrat e financave vitin e ardhshëm." Kjo do të thotë: problemi i lihet për t'u zgjidhur Francës, e cila vitin e ardhshëm ka presidencën e radhës të G-20s. Atje do të bëhen gjithashtu përpjekje për gjetjen e një pozicioni të përbashkët në çështjen e kurseve të këmbimit. Në Seul u zbut zënka, që zhvillohet kryesisht mes amerikanëve dhe kinezëve. Nga njëra anë Kina ka rritur sërisht vlerën e juanit duke dëshmuar fleksibilitet. Nga ana tjetër, SHBA-së iu desh të dëgjonte kritikë të fortë nga vendet e tjera, sa i takon politikës së saj monetare. Në fund të fundit edhe vërshimi në treg i parave të reja është një mase që mund të ketë pasoja negative diku tjetër. Tani synohet ngritja e një sistemi paralajmërues, për të mbikqyrur më mirë flukset e kapitalit dhe mallrave.
Shtetet nuk do të zhvlerësojnë monedhat
[redakto]Në parim shtetet u angazhuan se do të heqin dorë nga zhvlerësimi i monedhave të tyre, me qëllim forcimin e aftësisë konkuruese të ekonomive kombëtare. Kurset e këmbimit duhet të përcaktohen vetëm nga raportet në treg. Receta më e mirë për një rritje të balancuar është e ashtuquajtura Marrëveshje e Dohas për tregtinë botërore, e cila prej vitesh është pezulluar. Kjo formulë është pjesë e çdo dokumenti përfundimtar të G-20s, por këtë herë në Seul ndihej qartë vullneti i përbashkët për aplikimin e saj. "Proteksionizmi mund të rrezikojë seriozisht rritjen e vazhdueshme. Përkundrazi tregtia e lirë, dhe pra deklarata përmbyllëse e Dohas, do të ishte një shenjë e qartë për të ecur përpara në këtë shteg rritjeje. (...) Ne mendojmë se tani ekziston një dritare kohore, në të cilën është e mundur një marrëveshje e tillë. Dhe unë e konsideroj atë absolutisht të domosdoshme, për të mos rrezikuar rritjen ekonomike mbarëbotërore," - u shpreh kancelarja gjermane Angela Merkel.
Vendet në ekspansion - më shumë peshë në FMN
[redakto]Një tjetër vendim i rëndësishëm i samitit të G-20 në Seul është reformimi i FMN-së. Reforma parashikon që Kina, India dhe ekonomi të tjera në ekspansion, të kenë më shumë influencë në institucionin më të rëndësishëm financiar ndërkombëtar. Por kjo do të thotë edhe më shumë përgjegjësi në raste krizash. Për ministrin gjerman të Financave, Wolfgang Schäuble ky është një sukses i madh pasi:
"... reforma e FMN-së, e cila u arrit në parapërgatitjet për këtë samit, dhe që u përshëndet njëzëri nga kryetarët e shteteve dhe qeverive, e bën FMN më të aftë për të vepruar. Në të njëjtën kohë, vendet në ekspansion mund të shohin gatishmërinë e vendeve të industrializuara për një balancim më të mirë të përfaqësimit të interesave në një botë gjithnjë e më globale. (...)" Një tjetër vendim i samitit të Seulit gjithashtu nuk ishte më risi: rregulla më të ashpra për kapitalin e vet për bankat, të njohura me emrin Basel III. Vitet e ardhshme institutet financiare duhet të investojnë shuma miliardëshe në sigurimin ndaj riskut. Edhe pse ka ende shumë për të bërë, samiti i Seulit e meriton cilësimin "historik".
Referencat
[redakto]- Lajmet.com (13.11.2010)