Jump to content

Thaçi: Shpëtimi te Platforma e PDSH-së

Nga Wikilajme, burimi i lirë i lajmeve që ju mund të shkruani!
Statusi: E mbaruar 20 maj 2011 06:56 (CEST)
Ju lutem mos bëni asnjë ndryshim thelbësor. Keni ndonjë opinion për këtë lajm? Postojeni!


Lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi në tubimin e sontëm në Çellopek të Komunës së Bërvenicës, tha se situata e tanishme në të gjitha fushat në Maqedoni, e posaçërisht mundësia për avancimin e statusit të shqiptarëve, janë katastrofale, për shkak të, siç tha ai, politikës së gabueshme të pushtetit. “Vetëm me zbatimin e plotë të Platformës së PDSH-së për Marrëveshjen e re politike midis shqiptarëve dhe maqedonase mund të arrihen ndryshime pozitive”, tha Thaçi.

Ai më tej shtoi se konsensusi i vërtetë në vendimmarrje në nivel shtetëror dhe shpërndarja proporcionale e buxhetit të shtetit, ku tani shqiptarët kontribuojnë me mbi 30 për qind, ndërsa marrin vetëm 2, për qind, janë pikat kyçe të platformës politike të PDSH-së. “Po qe se me 5 qershor shqiptarët nuk e votojnë këtë Platformë, ne do t’u japim dritën e gjelbër të gjitha subjekteve politike në botë që të konstatojnë se shqiptarët janë të kënaqur me situatën ekzistuese në Maqedoni” , tha lideri i PDSH-së.

Ai më tej shtoi se më 5 qershor gjërat duhet të ndryshojnë dhe proceset e integrimeve euro-atlantike sërish të vijnë si pika kryesore e agjendës politike. “Vetëm kështu mund të pengohen migrimi masiv i shqiptarëve jashtë vendit që është evident edhe për nga zvogëlimi i numrit të nxënësve”, tha Thaçi.

Burimet

[redakto]