Vlonjatët, protestë në Tiranë: Do bllokojmë urën e Mifolit
Tifozët e Flamurtarit kanë protestuar sot në Tiranë kundër Federatës Shqiptare të Futbollit, presidentit të saj Armand Duka, si edhe klubit Skënderbeu. Të organizuar me autobusë dhe makina private, ata kanë mbërritur në kryqytet në mesditë, ndërsa janë grumbulluar para stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Tifozët kanë kërkuar drejtësi për ndeshjen me Laçin, ndërsa nuk kanë munguar sharjet në kor ndaj Federatës dhe njerëzve të saj.
Po ashtu, tifozët kanë kërcënuar se nëse nuk do të jepen 3 pikët në tavolinë, atëherë do të bllokojnë urën e Mifolit. Më pas, ata kanë dashur të shkojnë përpara zyrave të Federatës së Futbollit, por nuk janë lejuar nga policia, që ka qenë e shumtë në numër.
Ndërkohë, ditën e sotme dy inspektorët e Komisionit të Disiplinës kanë përfunduar hetimin e tyre, duke marrë në pyetje edhe portierin e goditur në Laç, Shpëtim Moçka. Ata ia kanë kaluar tashmë çështjen Komisionit të Disiplinës, që do të vendosë ditën e martë nëse Flamurtari do të marrë 3 pikët në tavolinë apo jo. Burime nga FSHF, bëjnë të ditur se raporti i dy inspektorëve nuk është aspak në favor të Flamurtarit, kështu që marrja e fitores në tavolinë duket një utopi. Nëse vlonjatëve nuk u jepet fitorja, atëherë Skënderbeut do t’i mjaftojë të mundë Elbasanin në shtëpi ditën e mërkurë, për të qenë edhe zyrtarisht kampion i vendit.
Burimet
[redakto]- "Vlonjatët, protestë në Tiranë: Do bllokojmë urën e Mifolit" — BalkanWeb, 03. Maj 2011