Zidane, 15 milionë dollarë që loboi për Katarin
Zinedine Zidane ka marrë 15 milionë dollarë për të lobuar për Katarin, në fitimin e kandidaturës për Botërorin 2022.
Lajmi bëhet i ditur nga revista amerikane “The New Republic”, që shkruan se ishte kjo shifra për të cilën kishin rënë dakord ish-mesfushori i kombëtares franceze dhe vendi i Lindjes së Mesme.
Edhe në rast disfate, Zizu do të merrte 3 milionë dollarë për lobimin e tij. Revista amerikane shkruan madje se organizimi i Botërorit 2022, më shumë sesa Katari vetë, u fitua nga Zidane.
Në fakt, imazhi i këtij të fundit në momentin e dhënies së verdiktit të FIFA-s ishte emblema e asaj çfarë ndodhi të enjten në Zyrih. Po ashtu, humbja në këtë konkurrim nuk është pritur mirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Të enjten, presidenti Barak Obama e quajti vendimin të gabuar, ndërkohë që akuza ka pasur edhe në media të ndryshme. Në Angli, Daily Mail citon Wikileaks, duke thënë se Botërorin e vitit 2018 e fitoi një shtet mafioz si Rusia. Në Holandë, gazeta AD akuzon FIFA-n për korrupsion, ndërkohë që edhe media të tjera i kanë quajtur të diskutueshme vendimet e marra nga Komiteti Ekzekutiv.
Një tjetër akuzë e bërë nga mediat holandeze është se nga 9 kandidaturat, fitoi vendi më pak demokratik, Rusia.
Referenca
[redakto]- Balkanweb.com (04.12.2010)