Jump to content

EULEX: S'ka prova për Shtëpinë e Verdhë

Nga Wikilajme, burimi i lirë i lajmeve që ju mund të shkruani!
Statusi: E mbaruar 12:51, 17 Dhjetor 2010 (UTC)
Ju lutem mos bëni asnjë ndryshim thelbësor. Keni ndonjë opinion për këtë lajm? Postojeni!


Hetuesit e EULEX it nuk kanë gjetur të dhëna se në atë lokacion (Shtëpia e Verdhë) ka pasur operime me organe njerëzore, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e misionit të BE së në Kosovë, Christina Herodes. "Hetuesit dhe prokurorët për krime të luftës në EULEX kanë hetuar rastin e ashtuquajtur 'Shtëpia e Verdhë', por nuk kanë gjetur dëshmi apo të dhëna që do të na bënin të besojmë se në atë lokacion ka pasur transplantim dhe operime me organe njerëzore. Por, nëse kanë ndodhur lloje të tjera të aktiviteteve kriminale në atë shtëpi, nuk kemi të dhëna për momentin", theksoi Herodes.

Sa i përket raportit të Dick Marty, i cili akuzon kryeministrin Hashim Thaçi për kryesimin e një mafie dhe nëse EULEX i ka informata që mund t'i mbështesin këto akuza, zëdhënësja Herodes tha se janë duke shikuar raportin në hollësi dhe nuk duan të bëjnë ndonjë ndërlidhje me askënd. "Nëse dikush ka dëshmi konkrete që do t'i mbështesnin akuzat e përmendura në raport, duhet t'u drejtohet autoriteteve adekuate", tha ajo. Gjithashtu Herodes tha se ka raste lidhur me krimet e luftës që janë duke vazhduar, duke përmendur një rast që ndërlidhet me Shqipërinë e veriut dhe objektet e UÇK-së atje.

"Është në pritje të gjykimit kryesor dhe ndërlidhet me dy persona që dyshohet të jenë të përfshirë në dy incidente, të cilat kanë ndodhur në Shqipëri", tha zëdhënësja, duke sqaruar se rasti ndërlidhet me keqtrajtimet eventuale të personave që janë mbajtur në objektet e UÇK së në veri të Shqipërisë, gjatë konfliktit të 1999 ës. "Mirëpo, as ky rast, deri më sot, nuk ka treguar ndonjë ndërlidhje me rastin e 'Shtëpisë së Verdhë'", tha Herodes.

Shih dhe këtë

[redakto]

Burimet

[redakto]