Wikipedia në gjuhën angleze mbyllet për 24 orë

Nga Wikilajme, burimi i lirë i lajmeve që ju mund të shkruani!

E martë, 17 janar 2012

Ky artikull përmend Fondacionin Wikimedia, një nga projektet e tij, ose njerëz që lidhen me të. Wikilajme është një projekt i Fondacionit Wikimedia.
Sue Gardner, drejtorja ekzekutive e Wikimedias

Versioni i Wikipedias, enciklopedisë së lirë në gjuhën angleze do të mbyllet për 24 orë në shenjë proteste kundër projektligjeve të propozuara amerikane "Stop Online Piracy Act" apo siç njihet ndryshe SOPA dhe PROTECT IP Act (PIPA). Mbyllja e Wikipedias do të fillojë më 18 janar në orën 5:00 UTC dhe do të përfundojë pas 24 orësh. Këto ligje kanë të bëjnë me ndalimin e kopjimit ilegal të filmave apo përmbajtjeve televizive.

Ky vendim është marrë nga vetë komuniteti i Wikipedias dhe jo nga Wikimedia. Sipas të dhënave të votimit, 479 përdorues kanë votuar që Wikipedia të mbyllet vetëm për personat që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa 591 përdorues votuan për mbyllje globale të Wikipedias. Mbështetësit e mbylljes së Wikipedias theksojnë se këto ligje përbëjnë një "kërcënim ekzistencial" për Wikipedian, ndërsa kundërshtarët thonë se Wikipedia duhet të jetë asnjanëse. Ndërkohë, Sue Gardner, drejtorja ekzekutive e Wikimedias, në një letër drejtuar komunitetit të Wikipedias, ka shkruar që artikujt e Wikipedias janë asnjanës dhe jo Wikipedia vetë.

Po ashtu edhe Google është kundër këtyre ligjeve dhe në faqen kryesore do të shfaqë një lidhje që kundërshton SOPA-n dhe PIPA-n.


Burimet

Wikinews
Wikinews
Ky artikull është një raportim origjinal nga anëtarët e Wikilajmeve. Shikoni faqen e diskutimeve për më shumë detaje.