Bjellorusia, një disfatë i rrezikon postin Kuzhesë

Nga Wikilajme, burimi i lirë i lajmeve që ju mund të shkruani!
Jump to navigation Jump to search
Pntbl.png
Statusi: E mbaruar 25 Mars 2011 17:34 (CET)
Ju lutem mos bëni asnjë ndryshim thelbësor. Keni ndonjë opinion për këtë lajm? Postojeni!


Ndeshja me Bjellorusinë është më e rëndësishmja e edicionit jo vetëm për kombëtaren shqiptare, por edhe për Josip Kuzhe. Në rast disfate, trajneri kroat rrezikon seriozisht postin, ndonëse sipas të gjitha gjasave, do ta çojë kontratën e tij deri në fund. Në fakt, nëse Shqipëria nuk mund Bjellorusinë, objektivi i saj për vendin e katërt në grup do të komplikohej seriozisht, duke qenë se në sfidat e radhës, do të ketë dy përballje me Francën, një me Bosnjen në transfertë, një me Luksemburgun dhe një tjetër me Rumaninë në Tiranë. Sfida, që përveç asaj me modestët e Luksemburgut, nuk premtojnë shumë pikë.

Në këtë mënyrë, nëse të shtunën Shqipëria humbet, edicioni mund të quhet tërësisht i dështuar. Kuzhe deri tani nuk ka asnjë ndryshim me paraardhësin e tij Ari Han, duke arritur 1 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje. Mungesa e fitores ditën e shtunë do të bënte që Shqipëria të mos bënte asnjë hap para nga edicioni i shkuar dhe në këtë pikë, tekniku është i pari që rrezikon. Burime nga FSHF bëjnë të ditur se Kuzhe do ta vazhdojë punën deri në fund të eliminatoreve të Euro 2012, sidoqë të shkojë ndeshja me Bjellorusinë. Por, në fund, kur të bëhen bilancet, kjo humbje mund të kushtojë shumë. Për hir të së vërtetës, kroati ka qenë një nga trajnerët më punëtorë të ardhur në Shqipëri, madje ka sakrifikuar duke qëndruar me banim edhe në Tiranë për të qenë më pranë futbollit shqiptar.

Por, skuadra kombëtare në këto momente është nga më të dobtat e viteve të fundit dhe kjo për shkak edhe të një pune jo të mirë me kombëtaret e moshave apo për faktin se futbolli shqiptar nuk është më një treg aq i preferuar jashtë. Një tjetër pikë që gjithnjë ka ngritur dyshime, ka qenë besimi i verbër që Kuzhe ka te veteranët. Skela ka luajtur vetëm dy ndeshje këtë sezon, por ai do të jetë sërish titullar ditën e shtunë. Po ashtu, Klodian Duro nuk ka më forcën e dikurshme edhe pse mbetet një nga lojtarët më të kompletuar shqiptarë. Gjithashtu, tekniku kroat është ai që pati më shumë kohë në dispozicion për të përgatitur skuadrën për këto eliminatore dhe në rast dështimi, do të thotë se kjo përgatitje nuk ka qenë në nivelin e duhur.

Shih dhe këtë[redakto]

Burimet[redakto]


Bookmark-new.svg