Jump to content

Lulzim Basha shpallet fitues nga KQZ

Nga Wikilajme, burimi i lirë i lajmeve që ju mund të shkruani!

E diel, 26 qershor 2011

Lulzim Basha, kanditati i Aleancës për Qytetarin, u shpall dje rreth orës 22:00 fitues i zgjedhjeve vendore për Bashkinë e Tiranës nga KQZ me një diferencë prej 93 votash ndaj kanditatit tjetër të Aleancës për të Ardhmen, Edi Ramës.

Pas numërimit të të gjitha votave të hedhura jo në kutinë përkatëse në 1793 kuti, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi tabelën përmbledhëse të rezultait me 4 vota pro dhe 2 kundër, ku rezultoi se Basha ishte fituesi i zgjedhjeve me 93 vota më shumë se Edi Rama.

Pak minuta pas shpalljes fitues nga KQZ-ja Lulzim Basha u shpreh se ishte i gëzuar që u dëgjua zëri i çdo qytetari.

"Çdo votë u numërua, dhe pritja për rezultatin final ia vlejti, sepse u garantua dëgjimi i zërit të çdo qytetari. Dhe tani që zëri juaj u dëgjua, jam i prekur dhe i përunjur që 95 qytetarë më shumë votuan që unë të jem Kryebashkiaku juaj i ardhshëm.", u shpreh Basha.

Ndërkohë që Partia Socialiste është shprehur se do t'i drejtohet sërish Kolegjit Zgjedhor për ta shpallur procesin zgjedhor të pavlefshëm, pasi sipas saj numri i votuesve nuk përputhet me numrin e votave të gjetura në kuti dhe kjo diferencë është më e madhe se diferenca midis dy kanditatëve.

“Kolegji Zgjedhor i kërkoi Ristanit që të hapte të gjitha kutitë për të balancuar tabelat e rezultateve. Por Ristani me të tijtë, në paaftësinë dhe makutërinë e tyre prodhuan një manipulim skandaloz dhe të padëgjuar për asnjë komunë të largët të këtij vendi. Qindra vota më shumë se votues në plot qendra e qindra më pak në shumë qendra të tjera. Gjysma qendrave të votimit e numërimit dëshmojnë se janë kthyer në baza manipulimi”, tha deputeti socialist Blendi Klosi.


Burimet